E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, e pamundur të kontrollohen shpenzimet e partive



Qendra e Studimeve Parlamentare publikoi dje raportin për monitorimin e shpenzimeve të partive të mëdha, PD e PS, gjatë fushatës elektorale, ku theksohej se është e pamundur të kontrollohen apo zbulohen shpenzimet reale të bëra në fushatë elektorale. Sipas këtij raporti: “Pasqyrat financiare të partive janë në përgjithësi bilance të veprimtarisë ekonomike të degëve qendrore të tyre, ku shpenzimet për financimin e veprimtarisë së degëve lokale pasqyrohen vetëm si kosto operative në zërin e shpenzimeve. Në këto bilance të ardhurat e mbledhura nga degët përgjithësisht mungojnë, pasi ato destinohen për veprimtaritë lokale në periudhën jashtëzgjedhore, e cila nuk mbikëqyret nga ligji për transparencën, në përputhje me Kodin Zgjedhor. “Në shumë veprimtari elektorale këto para shndërrohen në shërbime, pa u kontabilizuar dot si të ardhura elektorale apo financime të sponsorizuara”, - thotë më tej raporti. Më tej theksohet se “gjetjet empirike dëshmojnë se partitë politike janë në gjendje të përfitojnë shërbime në natyrë, të cilat falë intensitetit të fushatës zgjedhore, bëhen të rëndësishme në vlerë dhe mbesin të padeklaruara dhe të pallogaritshme në nivelin kontabël edhe nga kontrolli i auditit. Nëse një parti merr në natyrë vetëm shpenzimet e fonisë, nga një mesatare tubimesh elektorale prej 100 eventesh, me një çmim mesatar 400 euro, përfitimi i një partie do të arrinte 40 mijë euro ose rreth 6 milionë lekë të reja, vlerë e krahasueshme me totalin e donacioneve të deklaruara edhe nga parti të mëdha. Më tej thuhet se “këto financime të padukshme janë më të prira që të vijnë nga subjekte tregtare private, që vetë ligji, përmes klauzolës së konfliktit të interesit, i pengon të përfshihen në donacione direkte në favor të subjekteve politike”. Kjo klauzolë shtyn drejt veprimeve klandestine palët e interesuara që të ndërveprojnë në periudha elektorale dhe që mund të shkëmbejnë favore jo legjitime pas përmbylljes me sukses të procesit të sponsorizuar zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›