E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gyl: Kritikat ndaj Turqisë, të rrezikshme

Ankara -Presidenti turk, Abdullah Gul deklaroi gjatë një interviste për "Financial Times", se kritikat ndaj Turqisë lidhur me objeksionet e tij ndaj caktimit të shefit të ri të NATO-s ishin të rrezikshme. Turqia e vuri veten në vështirësi me aleatët e saj evropianë, pasi kërcënoi se do të vinte veton ndaj kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmussen si kreu i NATO-s, për shkak të trajtimit që i bëri krizës së 2006-s lidhur me botimin e karikaturave të profetit Muhamet në një gazetë daneze.

"Ne nuk kemi bërë kurrë shantazhe dhe as kërkesa irracionale. Ne vepruam brenda një logjike racionale dhe në një mënyrë moderne brenda kompromisit që është një kulturë evropiane. Dhe në fund mbërritëm, në të vërtetë, në një mirëkuptim. Si rrjedhojë jam i befasuar kur shoh komente të kësaj natyre nga disa vende. Nuk i gjej absolutisht në linjë me frymën evropiane"-theksoi Gyl.

Franca dhe Gjermania e kanë mbështetur fort Rasmussenin dhe "FT"-ja shkruante se Olli Rehn, komisioneri evropian i Zgjerimit dhe Bernard Kushner, ministri i Jashtëm francez e kishin kritikuar politikën turke të lojës me zjarrin.

Turqia, kandidate e BE-së, u tërhoq vetëm pasi presidenti amerikan, Barack Obama premtoi se njëri nga zëvendësit e Rasmussenit do të ishte turk. Objeksionet e Turqisë ndaj Rasmussenit kërcënuan imazhin që NATO kërkoi të jepte me rastin e 60-vjetorit të aleancës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›