E Diel, 1 Nëntor 2026

Gyl-Topalli: Shqipëria dhe Turqia partnerë strategjik

Këtë vlerësim ndanë sot në takimin mes tyre Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidenti i Turqisë Abdullah Gyl, që ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare dyditore.

Duke rikonfirmuar vullnetin politik të Shqipërisë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Turqinë, si një aleate afatgjatë e saj, kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen turke gjatë gjithë rrugës deri në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO.

"Ishte një nder dhe kënaqësi për ne, tha Presidneti Gyl, që votuam protokollin e anëtarësimit tuaj në NATO, pasi ne e kemi konsideruar këtë si një vendim shumë të rëndësishëm."  Kryetarja Topalli tha se Shqipëria dhe shqiptarët kanë gjetur gjithmonë tek shteti, qeveria dhe populli turk një mik të madh në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit. Prandaj, tha ajo, forcimi dhe thellimi i marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e partnere, mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të politikës sonë të jashtme." 

Ajo shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë reflektuar në mënyrë perfekte në bashkëpunimin parlamentar përmes shkëmbimeve frekuente të vizitave. Presidenti Gyl, duke përgëzuar për vendimin e 16 nëntorit për pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, tha se Turqia e ka përshëndetur këtë vendim dhe beson se së shpejti BE-ja do të marrë edhe vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

Duke vlerësuar se vizita të niveleve të tilla janë një dëshmi e miqësisë së fortë, por edhe e vullnetit maksimal për forcimin e bashkëpunimit, Kryetarja e Kuvendit tha se mirëpret në një vizitë zyrtare edhe Kryetarin e ri të Parlamentit turk në Parlamentin e Shqipërisë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›