E Diel, 1 Nëntor 2026

Gyl pret Topin: Turqia ju mbështet fuqishëm

Presidenti Topi falënderoi homologun turk për mbështetjen e pakursyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha dhe vlerësoi lart dialogun politik tradicional mes dy vendeve tona.

Kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje se vizitat e vazhdueshme në të gjitha nivelet, tregojnë më së miri klimën e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në të gjitha fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të plotë si anëtar i NATO-s, por edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura, duke shprehur edhe bindjen në vazhdimësinë e mëtejshme të kësaj mbështetjeje.

Po kështu, Presidenti Topi vlerësoi ndihmesën e vyer, kontributin dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në përmbushjen e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Evropian.

Pasi vuri në dukje disa prej zhvillimeve pozitive në vend në kuadër të rritjes së stabilitetit ekonomik, Presidenti i Republikës shprehu besimin në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona, duke nënvizuar nevojën për rritjen e shkëmbimeve tregtare, si dhe për intensifikimin e investimeve të kompanive prestigjioze turke në sektorë kyç si energjia e telekomunikacioni.

Nga ana e tij, Presidenti turk, Abdullah Gyl, duke vlerësuar këtë takim si të rëndësishëm, theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha fushat. Presidenti turk nënvizoi me kënaqësi rritjen e përshpejtuar të investimeve dhe pranisë së investitorëve seriozë turq në sektorin financiar, të prodhimeve, të arsimit e të shëndetësisë, ndërkohë që theksoi se shkëmbimi i përvojës turke në fushën e turizmit mbetet një aspekt tjetër i rëndësishëm i bashkëpunimit në të ardhmen.

Në përfundim të takimit, të dy presidentët shprehën bindjen se edhe ky takim i nivelit më të lartë do të shënojë një sukses të mëtejshëm në thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›