E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italisë i duhet fitorja, por Lipi është optimist

JOHANESBURG-Italia është e detyruar të fitojë në përballjen e sotme ndaj Sllovakisë, ndërkohë që trajneri Marçelo Lipi beson ende te "shpërthimi" i skuadrës së tij për të arritur kualifikimin.
Kampionët e botës i komplikuan rëndë shanset pas atij barazimi 1-1 me Zelandën e Re, megjithatë tekniku italian mbetet optimist se më e mira ende do të vijë. "Ajo që duam mund të arrijë nga një moment në tjetrin, - u shpreh Marçelo Lipi. - Duam të kalojmë grupin dhe të ecim përpara. Por, duhet të përmirësohemi shumë në aspektin sulmues", deklaroi ai. Në fakt, është pikërisht sulmi pika më e dobët e kësaj Italie, gjë që u pa sidomos në ndeshjen me neozelandezët. Po ashtu, fantazia në mesfushë duket e vakët në mungesë të Andrea Pirlos, i cili sipas Lipit, sot do të ulet në pankinë. Për pjesën tjetër, ai nuk ka asnjë dyshim. "Kanavaro e di se kush do të luajë, - tha ai me shaka. - Për të zgjedhur njerëzit që do të zbresin në fushë mora parasysh faktorë të ndryshëm, duke nisur nga freskia fizike deri te karakteristikat teknike".
Por, në skuadrën e sotme nuk ka ndonjë revolucion. "Nuk do të ndryshojmë asgjë, do të provojmë të bëjmë më të mirën në fazën ofensive dhe kaq. Do të provojmë gjithashtu të bëjmë më mirë në mbrojtje, sidomos nga topat që vijnë nga larg. Sllovakia? Ka sulmues të shpejtë, që ndryshojnë shpesh pozicionet. Por, ndaj nesh u duhet fitorja dhe nuk besoj se do të rrinë shumë në mbrojtje", përfundoi Marçelo Lipi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›