HEC-et PS Ruli favorizoi bashkeshortin e Bulkut

Pasi publikuan mënyrën, sipas tyre anti-ligjore me të cilën ishte skualifikuar nga tenderi kompania italiane Radici Spa, deputetja Felaj theksoi se në tenderin e dytë i cili është zhvilluar kur ende nuk ishte mbyllur i pari, zoti Ruli ka favorizuar një kompani tjetër, pas së cilës, sipas saj fshihet shoqëria e bashkëshortit të deputetes demokrate, Rajmonda Bulku.
“Kompania Ferar Shpk favorizohet duke marrë një bonus prej 5% te pikeve, me justifikimin se kjo kompani ishte propozuesi origjinal i projektit të hidrocentraleve mbi lumin Bënçë, edhe pse ideja origjinale qe ofruar nga një tjetër kompani që në procedurën e parë koncensionare, kompania BAC Shpk. Ministri Ruli ka marrë pjesë personalisht në të gjitha vendimmarrjet që kanë favorizuar shoqërinë Ferar Shpk pas së cilës qendron shoqëria e bashkëshortit të deputetes Rajmonda Bulku (kompania Alfa projekt 2006)”, deklaroi deputetja Felaj.
Sipas socialistëve i gjendur nën presionin e Agjencisë së Prokurimeve dhe Avokatit të Prokurimeve, të cilët i kanë kërkuar ministrit Ruli të kthejë mbrapsht vendimin për skualifikimin e kompanisë italiane Radici Spa , ai ka pranuar të rivlerësojë ofertën e tyre duke i detyruar këta të fundit të ndërtojnë vetëm dy hidrocentrale nga tre që përmbante oferta e saj reale.
Kjo lëvizje për socialistët ka patur qëllimin që pjesën tjetër ta merrte shoqëria e preferuar e ministrit Ruli përmes një gare tjetër që ai vetë ia propozoi qeverisë dhe qe kjo e fundit që e pranoi.
“Kështu të drejtën për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Bënçë e merr kompania Ferar, kompania pas se ciles qendron bashkëshorti i deputetes Rajmonda Bulku i cili është njëheri dhe i afërm i ministrit Genc Ruli, Alfa Project”, tha më tej Felaj.