E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video Basha ne zyren e Metes

Ndërkohë, pak përpara dhe pas bërjes publike të videos shokuese në zyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta kanë mbërritur Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha dhe Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Nuk dihen arsyet e vizitës së ministrit Basha në zyrën e Metës, ndërsa mund të merren me mend ato të pranisë së ministrit Vasili, si një nga drejtuesit e LSI-së dhe njerëzit e afërt në parti të zotit Meta.

Ministrat në fjalë dhe të tjerë zyrtarë kanë qendruar për më shumë se dy orë të mbyllur brenda Ministrisë së Ekonomisë, ndërkohë që godina është rrethuar përvecse nga makinat e ministrave me targa zyrtare edhe nga të tjera makina me targa të huaja, që besohet se mund t’i përkasin shërbimeve të inteligjencës.

Pas disa orësh në zyrën e tij, e që ku muaj më parë është kryer edhe regjistrimi i bisedës kompromentuese, zoti Meta ka dalë për t’u larguar prej ministrisë.

Pavarësisht publikimit të videos, ku përfshihet një ndër zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe të mazhorancës, deri tani nga kabineti i zotit Berisha nuk ka patur asnjë reagim për këtë ngjarje. Qeveria ka preferuar të ruajë heshtjen, duke pritur ndoshta ditën e mërkurë, kur në orën 11 është parashikuar mbledhja e qeverisë e ku me interes do të pritet fjala e zotit Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›