E Shtunë, 31 Tetor 2026

HEC-et hapin portat, përmbyten lagjet në Shkodër, nis evakuimi

Të tjera rreth shkrimit Vjosa del nga shtrati, boshatiset Novosela e Vlorës Kamza e Laknasi nën ujë, në Tiranë "fryhet" Lana Në Lushnje, vdes nga rrufeja 50 vjeçari, flinte gjumë Foto: Përmbytjet në fshatin Guricë të Shkodrës SHKODER - Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë vazhduar intensivisht gjatë gjithë ditës së sotme, kanë rritur prurjet në Kaskadën e Drinit, duke detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që ta hapë portat e HEC-eve dhe të nisë shkarkimin e ujit, duke rrezikuar më së shumti Shkodrën, e cila nëse reshjet vazhdojnë me prurje të larta, rrezikon të përjetojë sërish përmbytjet e vitit 2010.

Ndërkohë që i gjithë vendi është karakterizuar nga përmbytje të rrugëve e në disa zona edhe të banesave, si pasojë e motit të keq. Qyteti i Lushnjes fatkeqësisht ka shënuar një viktimë, një 50-vjeçar të goditur për vdekje nga një rrufe teksa flinte gjumë në banesën e tij. Lumi Vjosë, i cili ka dalë nga shtrati, ka shpallur gjendjen e alarmit jo vetëm në Vlorë, ku ka nisur evakuimi i banorëve në Noveselë, por edhe Fierin i cili ndjehet i kërcënuar.

Niveli i lartë i ujit në liqenin e Fierzës ka detyruar Hidrocentralin e Fierzës, ndërtuar mbi Drin, që të hapë portat e shkarkimit drejt HEC-eve të Vaut të Dejës dhe Komanit.

Korrespondenti i televizionit A1 REPORT në Shkodër, Admir Agolli, informoi se nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë nisur shkarkimet sot në 08:30, ndërsa portat shkarkonin fillimisht 250-300 m3 ujë për sekondë. Nuk kaloi shumë dhe u njoftua se janë hapur edhe portat e hidrocentralit të Komanit nga ku u shkarkuan fillimisht nga 600 metër kub në sekondë. Të njëjtën rrugë ndoqën edhe hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit, ku derdhjet ishin rreth 300 m3 ujë për sekondë

Shefi i Emergjencave Civile në Shkodër, Pëllumb Dani, në një prononcim për mediat theksoi se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës, duke siguruar paradite banorët se nuk ka asnjë rrezik për përmbytjen e banesave të tyre. Por gjatë orëve të pasdites, nuk u fol më vetëm për qindra hektarë të përmbytur, por edhe për banesa të përmbytyra e banorë të rrezikuar.

Jo vetëm zona e NënShkodrës, por edhe brenda në qytetin e Shkodrës kanë filluar problemet dhe situatë mjaft e rënduar paraqitet në lagjen Bahçallëk, niveli i ujit me sy të lirë ka arritur deri në 30-40 cm, duke përmbytur kështu katet e para të banesave. Pasi situata është përkeqësuar, Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë në qytetin e Shkodrës kanë shkuar pranë zonave problematike për të ndihmuar banorët në rast evakuimi. Aktualisht janë evakuuar 4 familjet e para në Vukatan të komunës Guri i Zi. Aksi Shkodër-Lezhë është bllokuar për të gjitha automjetet e vogla, ndërsa nga momenti në moment ka rritje të nivelit të ujit i cili deri më tani ka arritur mbi 50 cm.

Niveli i Drinit ka ardhur duke u rritur për shkak të shkarkimeve nga HEC Vau i Dejës dhe Koman. Kjo shihet dhe me sy të lirë pranë urës së Bahcallekut ndërkohë që problemet e para u shfaqën në komunën Ana e Malit, ku uji ka dalë nga shtrati i lumit Buna. Probleme janë shfaqur edhe në Komunën e Berdicës në tokat e Trushit të Poshtëm si dhe pranë urës së Gjo Lulit.

PERMBYTEN BANESAT NE BACALLEK, BLLOKOHET AKSI SHKODER-LEZHE
Ora 20:15 Situata në Shkodër ka dalë jashtë kontrollit duke risjellë një panoramë thuajse të njëjtë me përmbytjet e vitit 2010. Tashmë nuk flitet më për qindra hektarë nën ujë por edhe për banesa të përmbytura dhe bllokimin e aksit nacional Shkodër-Lezhë. Jo vetëm zona e nën Shkodrës, por edhe brenda në qytetin e Shkodrës kanë filluar problemet dhe situatë mjaft e rënduar, pasi në lagjen Baçallëk, niveli i ujit me sy të lirë ka arritur deri në 30-40 cm, duke përmbytur kështu katet e para të banesave.

Ka qenë e befasishme e gjithë kjo situatë, pasi më herët ishte njoftuar nga autoritetet se situata ishte nën kontroll, pasi Kaskada e Drinit është hapur në mënyrë urgjente duke shkarkuar të gjithë sasinë e ujit, ndërkohë që duhej të kishte ndodhur gradualisht.

Aksi Shkodër-Lezhë është bllokuar për të gjitha automjetet e vogla, ndërsa nga momenti në moment ka rritje të nivelit të ujit i cili deri më tani ka arritur mbi 50 cm. Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë në qytetin e Shkodrës kanë shkuar pranë zonave problematike për të ndihmuar banorët në rast evakuimi. Aktualisht janë evakuuar 4 familjet e para në Vukatan të komunës Guri i Zi.

NE FSHATIN OBOT NUK KALOHET ME MJETE TE VOGLA
Ora 14: 45 Ka shkuar në dy numri i fshatrave në komunën Ana e Malit që janë të izoluara nga uji për shkak të shkarkimeve nga portat e HEC . Rruga që të con në fshatin Obot është e pakalueshme për mjete të ulëta. Banorët po kalojnë me karroca dhe fuoristradë.  Rritja e prurjeve ka bërë që uji të dalë dhe në rrugën rurale Obot- Muriqan. Niveli i ujit arrin deri në 30 cm. Problem është komuna e Dajçit.

PERMBYTEN 600 HA TOKE BUJQESORE NE KOMUNEN ANA E MALIT
Ora 11: 45 Korrespondenti i Shkodër Admir Agolli informon se Kryetari i komunës Ana e Malit, Xhavat Mollca ka konfirmuar se 600 ha toke bujqësore janë nën ujë në komunën Ana e Malit.  Zona më problematike është fshati i Goricës pasi rruga që të çon në këtë fshat është bllokuar nga uji. Kjo është e vetmja rrugë për lëvizjen e këtij fshati. “Nëse vijon me këtë intensitet shkarkimet do të ketë probleme edhe në fshatin e Obot dhe në komuninë e Bërdicë në Shkodër. Kryekomunari i Anës së Malit Xhevat Mollca shtoi se problemet kanë nisur të shfaqen edhe në fshatin e Obot si dhe në fushën e Muriqanit ku toka bujqesore është nën ujë.

PROBLEME NE KOMUNEN ANA E MALIT, E BERDICE
Ora 11:00 Korrespondenti Admir Agolli thotë se aty ku bashkohet Buna me Drini, niveli i ujit ka ardhur duke u rritur për shkak të shkarkimeve nga HEC Vau Dejës dhe Koman. Kjo shihet dhe me sy të lirë. 
Problemet në komunën Ana e Malit, pasi uji ka dalë nga shtrati i lumit Buna.
Probleme janë shfaqur edhe në Bërdicë. Janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokash. Është rritur niveli i lumi Drin. Zyrtarët lokalë thanë se nuk kanë pasur asnjë kontakt nga prefektura, ndryshe nga kjo e fundit e cila nëpërmjet një njoftimi për shtyp tha se kishte informuar krerët e komunave të monitorojnë situatën.

PREFEKTURA KERKON MONITORIM TE SITUATES
Ora 10:00 Prefektura e Shkodrës ka njoftuar drejtuesit lokalë sidomos të komunave të Nënshkodrës, zona e Dajçit, e Bërdicës dhe Velipojës të monitorojnë situatën pasi mund të ketë probleme. Është rritur dhe niveli i lumit Kir, Buna dhe Drini. Deri në këto momente (ora 10:00) e vetmja zonë që ka probleme për shkak të gërryerjes së tokave është komuna Rrethina fshati Bardhaj, ndërkohë që nën ujë janë tokat e Trushit të poshtëm dhe këneta e Velipojës te ura e Dedë Gjo Lulit. Ndërkohë që hapja e portave të Hec Ulëz e Shkopet rrezikojnë fushat e Lezhës dhe të Kurbinit.

KESH: HAPJA E PORTAVE SIPAS RREGULLORES
Ora 11: 05  Reshjet shumta te ditëve të fundit kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e situatës hidrike në Kaskadën e lumit Drin.
Nga të dhënat më të fundit Fierza është në nivelin 287.18 m, prurjet 1000 m3/s; HEC Koman 174.94 m, prurjet 1160 m3/s; HEC Vau i Dejës 75.42 m, prurjet anësore 200 m3/s.
KESH sh.a për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe në zbatim të rregullores ka nisur shkarkimin në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Në Hidrocentralin e Komani-t po punohet me 4 turbina/kapacitet maksimal dhe shkarkimet arrijne në këto shifra: 600 m3/s nga porta dhe 670m3/s nga turbinat.

Gjithashtu edhe në Hidrocentralin e Vau i Dejës po punohet me kapacitet maksimal duke punuar me 5 turbina dhe shkarkimet janë në shifrat e 600 m3/s nga portat dhe 520 m3/s nga turbinat. Marrja e vendimit për nisjen e shkarkimet po bëhet në zbatim të rregullores dhe të miratuar nga Sekretariati Teknik të Shkarkimit të Plotave.

KESH sh.a është në gadishmëri të plotë për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe për të garantuar me energji elektrike konsumatorin shqiptarë. Kesh sh.a po ndjeke ne vazhdimesi situaten dhe lajmeruan te gjitha instancat instancat e nevojshme ne lidhje me situaten aktuale.

ULZE E SHKOPET HAPEN E PORTAT E HEC-eve, RREZIKON PERMBYTJE NE LEZHE
Portat e shkarkimit janë hapur dhe në HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit. Mësohet se derdhet 300- 350  m³ ujë për sekondë, po ashtu edhe nga hapja e portës së Hec-it të Shkopetit derdhjet janë 350 m³/sec.
Hidrocentrali i Ulzës punon me kapacitet të plotë prej katër turbinash. Shkopeti po me kapacitet të plotë prej dy turbinash. Drejtuesit e HEC janë në gadishmëri të plotë për menaxhimin e situatës. Burime nga kjo drejtori bëjnë me dije se hapja e portave ishte e detyrueshme pasi uji kishte kaluar nivelin maksimal, çka rrezikonte digën. Hapja e portave te HEC-eve Ulzë e Shkopet, rrezikohen të përmbysë disa fshtrat të Kurbinit dhe të Lezhës

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›