HEC-i në Thirrë- Kompania vijon punimet edhe pse ka urdhër pezullimi, banorët bëjnë roje të mos lejojnë gërmimet

Banorët e Thirrës në Mirditë që preken nga projekti i ndërtim të Hidrocentralit dhe fabrikës së uji në zonë vijojnë denoncimet e tyre se kompania po vijon ndërtimet në kundërshtim me ligjin duke shkelur vendimin e bashkisë për pezullim të punimeve dhe duke kryer një masakër mjedisore.
Të ndodhur përballë mosveprimit të institucioneve përgjegjëse për denoncimet e tyre për punimet e paligjshme, banorët kanë vendosur të veprojnë vetë për të ndaluar punimet e kompanisë në zonë.
Duke qenë se kompania nuk po zbaton vendimin e bashkisë që ka pezulluar punimet, banorët kanë ngritur një çadër ku do të qëndrojnë vetë roje gjatë gjithë kohës.
Më 28 shkurt 2024 Bashkia Mirditë gjobiti kompaninë dhe pezulloi punimet për shkak të mungesave në dokumentacion. Ndërtimi i hidrocentralit në këtë zonë penalizon banorët e fshatrave Thirrë, Sanf dhe Hebe, ndërsa beteja e banorëve me kompaninë vijon të jetë në dyert e gjykatës.
/rtsh.al/