E Shtunë, 31 Tetor 2026

HETIMI I ZGJEDHJEVE Kreu i PES: “Komision hetimor me të huaj”

Autori i Lajmit: Redaksia

- "Transparencë e plotë, Komision Hetimor, le ta mbarojmë këtë punë". Kështu është shprehur dje Presidenti i PES, Rasmussen në kongresin e partive të majta që po zhvillohet në Sarajevë. Ai propozoi si zgjidhje ngritjen e një komisioni hetimor të përbërë nga shqiptarë dhe të huaj.
Mbështes Partinë Socialiste shqiptare në kërkesën e saj për të pasur transparencë si dhe zbardhjen e plotë të zgjedhjeve të fundit", u shpreh lideri i të majtëve europianë, duke shtuar se "unë do të doja të shprehja dëshirën time për ngritjen e një Komisioni Hetimor, një komision hetimor të pavarur, i cili të negociohet dhe të pranohet edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë". Sipas Rasmussen, komisioni i cili mund të përbëhet nga shqiptarë, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë të pavarur do të garantonte shqyrtimin e çdo pikëpyetje lidhur me zgjedhjet parlamentare të qershorit në Shqipëri
Deklarata e Presidenti i PES, Rasmussen u bë dje në Sarajevë, pas takimit me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe delegacioni e PS-së që e shoqëronte atë.
Në prononcimin e dhënë për mediat pas takimit me Ramën, Rasmussen është shprehur se mbështet Partinë Socialiste në kërkesën e saj për të patur transparencë dhe zbardhjen e plotë të zgjedhjeve të fundit.
“Sot i kam thënë zotit Edi Rama se unë po u bashkohem përpjekjeve për të arritur transparencë të plotë, se edhe unë do të doja ti shprehja dëshirën time për ngritjen e një Komisioni Hetimor, një komision hetimor të pavarur, i cili të negociohet dhe të pranohet edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë”, u shpreh Presidenti i PES, Rasmussen.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›