E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, socialistëve evropianë: “Na mbështesni në BE”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste i ka kërkuar mbështetje Partisë Socialiste Evropiane për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës që ka mbajtur në konferencën “Shoqëritë progresive në Ballkan”, e cila organizohet nga Partia Socialiste Evropiane dhe zhvillohet në Sarajevë, Rama tha se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për shqiptarët. E në këtë kuadër, ai kërkoi dhe mbështetjen e Partisë Socialiste Evropiane, që ky akt të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur në kohë.
Kreu socialist, Edi Rama, është shoqëruar edhe nga sekretarja Ndërkombëtare, Arta Dade, e deputetët Ditmir Bushati e Arben Ahmetaj, ndërsa në këtë aktivitet marrin pjesë edhe përfaqësues të LSI-së.
Liberalizimi i vizave
Gjatë fjalës në këtë konferencë Kreu socialist ka theksuar edhe një herë vullnetin dhe kërkesën e PS për tu realizuar sa më parë liberalizimi i vizave me Shqipërinë. Gjithashtu integrimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera në BE ka qenë një ndër cështjet ku Edi Rama është ndalur fort, duke kërkuar mbështetje për vendin tonë për anëtarësim evropian.
“Së pari, dëshiroj të ndaj me të gjithë ju këtë eksperiencë shumë mbresëlënëse, të ardhjes sime për herë të parë në këtë qytet shumë të vecantë, që është jo vetëm pjesë e një historie të përbashkët, por që po përjeton po ashtu një distancim të pajustifikuar nga Evropa, të qytetarëve të tij, njësoj si dhe të shumë qytetarëve të tjerë të këtij rajoni”,- u shpreh Rama.
Kalimi, tha ai, përmes Sarajevës për të ardhur në këtë takim, ishte me të vërtetë një moment shumë i veçantë për mua, por, njëkohësisht, e kisha të pamundur të kuptoja sesi ka mundësi që pas kaq vjetësh, ne ende nuk gëzojmë lirinë të lëvizim nëpër Evropë pa viza.
“Prandaj në këtë konferencë mendoj që është rasti për të kërkuar mbështetje për mundësimin e udhëtimit të lirë nëpër Evropë pa viza për ne, ashtu si dhe për të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës apo dhe të këtij rajoni. Anëtarësia në BE është projekti ynë politik i transformimit dhe i demokratizimit. Është e rëndësishme që të ndërtojmë Evropën në vendet tona, por është po ashtu e rëndësishme që Evropa të mos i zbehë ambiciet dhe standardet në marrëdhëniet e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor. Objektivi i BE në Shqipëri nuk mund të jetë më thjesht stabiliteti. Vetëm një politikë e re dhe një vizion i ri mund ta avancojë axhendën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe për shoqëritë e këtij rajoni. Në këtë kontekst ne duhet të përpiqemi shumë që ta sjellim Evropën më pranë qytetarëve tanë, kjo është sfida jonë”,- u shpreh Rama.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›