E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angjeli Zgjatja e krizës politike vështirëson ekonominë

Autori i Lajmit: Redaksia

Ish-ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli, ka deklaruar se kriza politike në vend ka reflektuar edhe në vështirësimin e ekonomisë së vendit. Angjeli theksoi dje se sa më shumë të zgjasë kriza politike në vend aq më shumë do të thellohen vështirësitë ekonomike në vend. Sipas tij, kriza politike ka ndikuar në rënien e ekonomisë dhe në zhvillimin e vendit duke theksuar se do të krijohen vështirësi në qeverisjen, pasi kjo e fundit nuk do të ketë liri frymëmarrjeje në vendimmarrje dhe në zbatimin e tyre, në Kuvend ku nuk po miratohen ligje të rëndësishme dhe në pushtetin vendor, i cili ndodhet në një ngërç, pasi në shumicën e tyre nuk po miratohen buxhetet.
Ndërkohë Angjeli, duke analizuar krizën politike në vend, theksoi se duhet të rikthehet dialogu dhe opsionet janë sjellë dhe në mes tyre ka opsione që mund të jenë të kënaqshme për të gjithë. Angjeli, duke iu referuar Partisë Socialiste, theksoi se kjo e fundit në luftën e saj politike ka për qëllim transparencën e zgjedhjeve dhe, sipas tij, gjatë viteve ka pasur evoluim të mendimit dhe PS-ja tashmë është në shinat institucionale të zgjidhjes së krizës.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›