HRW:Berisha të mos ndërhyjë në procesin hetimor të 21 janarit
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” i ka bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha të mos ndërhyjë në procesin hetimor të 21 janarit. Në një deklaratë të kësaj organizate thuhet se nevojiten hetime të pavarura lidhur me vrasjen e tre pjesëmarrësve në demonstratën kundër qeverisë më 21 janar në Shqipëri.
Një zyrtar i “Human Right Watch” e ka cilësuar deklaratën e kryeministrit shqiptar se arrestimet e gardistëve nuk do të kryheshin si kërcënim ndaj hetimit të pavarur të vrasjes së protestueve. Benjamin Ëard, nëndrejtor për Evropën dhe Azinë, ka deklaruar se “të gjitha forcat politike duhet të lejojnë prokurorinë të zhvillojë hetimet e duhura lidhur me qëndrimin e protestuesve dhe të forcave të sigurisë”.
Partitë opozitare në Shqipëri, shton Human Rights Watch, duhet të jenë të kujdesshme të mos nxisin dhunën. Disa udhëheqës të opozitës kishin bërë deklarata të ashpra kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha para fillimit të protestës.
Deri më tani, policia nuk ka zbatuar urdhërin e Prokurores së Përgjithshme për arrestimin e gjashtë pjesëtarëve të Gardës së Republikës, përfshirë komandantin dhe dy oficerë të lartë” thuhet në deklaratën e HRW.
Sipas ligjit për të drejtat e njeriut, thekson më tej Human Rights Ëatch, forcat e rendit mund të përdorin forcën kundër demonstruesve të cilët ushtrojnë dhunë. Por përdorimi i forcës dhe armëve të zjarrit lejohet vetëm nëse mënyrat e tjera nuk janë të efektshme. Kur përdorin forcën, organet e rendit duhet të tregojnë vetë-përmbajtje dhe të veprojnë në mënyrë proporcionale me shkeljen. Po ashtu, në rast se ka viktima të shkaktuara nga përdorimi i armëve të zjarrit nga forcat e rendit, ligji parashikon hetim të paanshëm, të shpejtë dhe të efektshëm për të vërtetuar në se vrasjet ishin në përputhje me ligjin, thekson ndër të tjera në deklaratën e saj organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch.