E Shtunë, 31 Tetor 2026

Habermass në shqip, midis natyralizmit dhe religjionit

Dy tendenca të kundërta e karakterizojnë gjendjen shpirtërore të kohës: përhapja e konceptimeve natyraliste mbi botën dhe ndikimi politik në rritje e sipër i ortodoksive fetare. Nga njëra anë dalin në pah më së miri përparimet e shoqëruara nga shpresat terapeutike dhe eugjenike në fushën e bioteknikës, robotikës dhe hulumtimeve mbi trurin e njeriut. Me këtë programatikë duhet të depërtojë dhe të zërë vend një pikëpamje personale e individëve, me objektiv natyror-shkencor, edhe në raportet e përditshme komunikuese dhe interaktive mes tyre. Stërvitja në një perspektivë të vetobjektivizimit, e cila gjithçka të kuptueshme dhe të përjetueshme e redukton në kornizat e të vëzhgueshmes, do të kërkonte edhe dispozitën për një vetinstrumentalizim përkatës.

Për filozofinë ndërlidhet me këtë tendencë sfida e një natyralizimi scientifik. Në anën tjetër vërehet një rivitalizim i papritur i traditave fetare dhe politizimi i gjithëmbarshëm i bashkësive fetare. Me rimëkëmbjen e fuqive fetare lidhet për filozofinë sfida e një kritike parimore në konceptimin postmetafizik dhe jofetar të modernes perëndimore.

Të gjitha këto konceptime vijnë në botimin më të ri të Habermassit, me titull “Midis Natyralizmit dhe religjionit”, botimet “Asdreni” në Shkup, përkthyer në shqip nga Arbër Cceliku. Botimin e librit e mbështeti financiarisht: Goethe Institut-i, kurse përkthyesit për përkthimin e librit iu dha bursa tremujore Paul Celan në Vjenë, mbështetur nga Instituti për Shkencat e Njeriut – Vjenë dhe Fondacionit Erste Sparkasse - Vjenë. Artikujt e përmbledhur në këtë vëllim mëtojnë ta masin plumbçe fushën e tensionit midis natyralizmit dhe religjionit dhe nga njëra anë mbajnë pretencë për një koncepsion të përshtatshëm natyralist të evolucionit kulturor, i cili e merr në konsideratë karakterin normativ të shpirtit njerëzor, kurse nga ana tjetër për një interpretim të përshtatshëm të pasojave sekularizuese të një racionalizimi kulturor dhe shoqëror, të cilat pasoja i damkosin keqas militantët e ortodoksive fetare si rrugëtuesit e veçantë historikë të Perëndimit. Recensionet e shtypit gjerman flasin: “Ajo, çfarë Habermasi konstaton në librin e tij Midis natyralizmit dhe religjionit, në thelb nuk paraqet asgjë më tepër, pos faktit që religjioni edhe në shoqërinë moderne përmbush funksione të qenësishme, të cilat tradita perëndimore e besimit monoteist nuk i shlyen dot”-Frankfurter Allgemeiner Zeitung. “Në këtë vëllim, Habermasi e pasqyron me ngjyrat më të spikatura idenë e një filozofie postsekulare”, thuhet ne Die Tageszeitung. “Vëllimi që e kemi përpara është një udhërrëfyes për shtetit sekular dhe sekularizmin në përgjithësi”, Neue Zürcher Zeitung

“Temat si hulumtimi i trurit të njeriut, vullneti i lirisë, religjioni, toleranca, sekularizmi, janë aq aktuale, Habermasi vetëm sa bën një ndërhyrje mjeshtërore në to”, Süddeutsche Zeitung.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›