E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dijetari, hero dhe mit



Me rastin e 100 vjetorit të lindjes në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, u mbajt simpoziumi shkencor “Profesor Eqerem Ccabej dhe albanologjia”. Kjo është konferenca e parë shkencore që organizohet qysh nga themelimi i këtij Fakulteti.

Në këtë sesion shkencor studiuesit bënë përpjekje që jetës dhe veprës së Eqrem Çabejt t’i qaseshin në të gjitha aspektet e kontributit të tij në fusha të shumta: gjuhësi, letërsi dhe folklor. Në fushë të gjuhësisë u paraqitën shtatë studiues, dhe secili prej tyre solli pikëpamjet e tij për kontributin e Çabej brenda fushës së gjuhësisë: filologji, standardologji, dialektologji, sintaksë, stilistikë gjuhësore, ballkanistikë, sociolinguistikë etj. Dr. Hasan Muja (Kontributit i Eqrem Çabejt në filologjinë shqiptare); Dr. Bahtiar Kryeziu (Profesor Çabej dhe standardi i shqipes); Dr. Adem Hajdaraj (Ndihmesa e Eqrem Çabejt në studimet dialektologjike); Dr. Xheladin Zymeraj (Kontributi i Profesor Çabejt në fushë të sintaksës); Dr. Begzad Baliu (Pikëpamjet e Çabejt për ballkanistikën); Mr. Xhavit Beqiri (Stilistika gjuhësore e poezisë së Çabej); As. Shpëtim Elezi (Studimet sociolinguistike të Eqrem Çabejt).

Duke sjellë shembuj nga njëri studim në tjetrin, Muja vinte te disa përfundime, sipas të cilave, me kontributet në fushë të filologjisë, Çabej del sa historik po kaq modern edhe në kohën tonë; ndërsa Kryeziu vlerësoi kontributin e Profesor Çabejt në sendërtimin e misionit shekullor te rilindësve për krijimin e gjuhës letrare dhe mbajtjen gjallë të strukturës gjithëkombëtare të shqipes letrare. Në kumtesën e tij Hajdaraj kujtoi përparësitë që kishte Profesor Çabej në fushë të studimeve historiko-gjuhësore, prandaj edhe dialektologjike: poliglot, i mbarsur me kulturë klasike dhe i prirë që studimeve gjuhësore-dialektologjike t’iu qaset me metodologji moderne, ndërsa Zymeraj, pasi kujtoi me këtë rast se Profesor Çabej ishte personalitet i rrallë në universin e dijes, i cili kontribuoi në fushë të gjuhësisë së krahasuar, iu qas kontributit të Çabejt në fushë të sintaksës së krahasuar, me theks të veçantë në atë indoevropiane.

Tema qe zgjuan interesim ishin edhe ato për ndihmesën e Çabejt në fushë të ballkanistikës dhe të sociolinguistikës. Autori i këtyre radhëve kumtoi për kontributin e Profesor Çabejt në fushë të ballkanistikës, duke e parë atë në tri rrafshe: në formimin e tij shkencor, në angazhimin e tij ndër institucione, revista dhe konferenca shkencore, si dhe në kontributet shkencore të tij. Shikimi stilistik- estetik i poezisë bashkëkohore të kohës së tij dhe konceptet estetike e stilistike për ato pak poezi të tij që njohim ishin objekt studimi i Beqirajt; ndërsa Elezi solli disa kundrime të tij mbi një studim të rëndësishëm të Çabejt Disa eufemizma të shqipes, studim ky mjaft i rëndësishëm në historinë socio-linguistike të gjithësisë shqiptare.

Edhe studimet për kontributin e Profesor Çabejt në fushë të letërsisë ishin mjaft të shumta dhe me interes për studimet historiko-letrare.

Për rëndësinë e studimeve dhe monografive të Çabejt në fushë të letërsisë dhe kritikës letrare kumtesat e tyre i paraqiten studiuesit: Mr. Merxhan Avdyli (Një libër monumental për themelet e letërsisë shqipe); Mr. Myrvete Dreshaj-Baliu (Letërsia dhe vetëdija kombëtare - konceptet e Çabejt); Ag Apolloni (Çabej dhe Qarqet letrare); Adil Olluri (Krahasimi objektiv i romantizmit shqiptar me romantizmin evropian); Mr. Vehbi Miftari (Kritika letrare e Çabejt)

Këta pjesëmarrës, zakonisht, kumtesat e tyre i përcillnin edhe me shprehje përdalluese për personalitetin e Profesor Çabejt dhe gjeninë e tij, prandaj nuk është e rastit që kumtuesi i parë, Avdyli, fjalën e tij e filloi duke e quajtur ‘i gjithëbotshëm’ apo ‘i përmasave të gjithëbotshme’, ‘zbulues i themeleve të letërsisë shqipe’, i pakryer’ etj. Me të drejtë, sepse duke qenë shkencëtar i madh ai ishte edhe një studiues i pakryer jo vetëm në letërsi, por edhe në gjuhësi (etimologji). Po në këtë rrjedhë edhe studiuesja Dreshaj-Baliu sintezat e Çabejt i vlerësoi në mënyrë të veçantë për faktin se përtej ndarjes krahinore e religjioze ai u mbështetet qëndrueshëm në autorë të mëdhenj të letërsisë shqipe. Edhe Apolloni theksoi se përmasat e sintezave të tij letrare do të reflektojnë gjeninë e tij në fushë të historisë së letërsisë vetëm atëherë kur t’i bëhet një analizë thelbësore Skicës së letërsisë shqipe, sikur e quajti veprën e tij themelore për letërsinë; dhe vetëm kur të bëhen analizat letrare dhe objektive të romantizmit shqiptar me romantizmin evropian, gjithsesi krahasuese të Çabejt. Po kjo mund të thuhet edhe për kërkimet e brendshme të letërsisë shqipe të cilat, sikur u shpreh Vehbiu, shkonin nga kritika letrare dhe e letërsisë, te kritika publicistike e metatekstit, dhe përtej saj te Qarqet letrare. Në këtë Sesion u dalluan edhe paraqitjet e studiuesve, që jetën dhe veprën shkencore të Profesor Çabejt e kishin bërë objekt studimi për kontributin e tij në fushë të kulturës, të folklorit dhe të etnologjisë. Studiuesi Cena, në kumtesën e tij Demonologjia në studimet mitologjike të Eqrem Çabejt, e quajti atë themelues të mitologjisë si shkencë dhe implementues i mitologjisë së trojeve të ndara. Ai vlerësoi meritat e tij për metodën deskriptive të relikteve të shpërndara në trojet shqiptare dhe në zonat më epike të hapësirës shqiptare, për të përfunduar se ai ishte zbulues i rrafshit pagan përballë rrafshit të krishterë e atij mysliman në traditën etnologjike e mitologjike shqiptare. Po në këtë prizëm studiuesja Gërbeshi, në kumtesën e saj Kontributi i Çabejt për kulturën shqiptare, personalitetin e tij e vendosi në memorien shqiptare, respekti për të cilin sigurisht nuk do të mungojë në të gjitha kohët.

Konferencën e përshëndeti edhe Akademik Idriz Ajeti, ndërsa Profesor Shefki Sejdiu, duke u mbështetur në nivelin e lartë të kumtesave nxori dy përfundime: studimet albanologjike me këtë nismë shkencore kanë gjetur një ambient të përshtatshëm dhe të denjë për respekt: institucionin dhe një brez të ri studiuesish me shumë kompetencë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›