E Shtunë, 31 Tetor 2026

Habiten të gjithë, Cana, mesfushor krahu?!

"Ku do të arrijë Cana?". Pyetja shqetësuese ndaj shqiptarit ka të bëjë me rolin e ri më të avancuar që po bën kapiteni Lorik Cana në lojën e Olimpikut të Marsejës, pasi më parë gjatë sezonit të kaluar ai kishte luajtur shumë ndeshje në qendër të mbrojtjes. Lorik Cana, një lojtar polivalent dhe me diapazon të gjerë futbollistik u pa në ndeshjen kundër Bran Bergenit në Ligën e Kampioneve në rolin e një anësori, duke i lenë zonën e mesfushës shkatërruese kundërshtarit të tij më të madh Modeste M'Bami.
Cana ka pasur rolin e një mesfushori krahu me detyrën për të qendërzuar topat. Pas aktivizimit si titullar të M'Bamisë, ndërkombëtari shqiptar dhe lideri luftarak i Olimpikut të Marsejës është i detyruar të jetë në një pozicion më përpara.
Një rol, që sipas faqes franceze ledauphine.com,nuk i korrespondon aspak karakteristikave të tij , duke provokuar edhe një rendiment më të ulët në lojë të Lorikut (komentet pro e kundër janë të shumta), i cili më parë ka qenë një nga figurat qendrore të Marsejës, pasi ishte Cana ai që bënte presion mbi kundërshtarët pikërisht para vijës mbrojtëse. Pyetjet dhe enigmat janë të shumta.
Por më të komplikuar situatën e bën vetë Cana. "Loriku më ka thënë që ka provuar të luajë saktësisht në këtë pozicion me kombëtaren e tij", - tha trajneri Gerets pas ndeshjes kundër Bergenit. "Po, është e vërtetë që ishte katastrofik para pushimit të pjesës së parë, por në të dytën loja e tij u përmirësua mjaft".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›