Haga nuk e liron Haradinajnë për festat

Ramush Haradinaj
Është refuzuar kërkesa e avokatëve të ish- kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për leje në ditët e festave. Nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës kërkesa për lirim është parë si e paqëndrueshme.
Avokatët e Haradinajt kërkonin lirim të përkohshëm nga 16 dhjetori deri më 8 janar 2012, sipas kushteve të propozuara, ose siç urdhëron Dhoma e Gjykatës. Avokatët kanë siguruar gjykatën se gjatë lirimit të përkohshëm Haradinaj do të qëndrojë vetëm në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike, e as nuk do të përfshihet në ndonjë aktivitetet politik.
Gjykimi i liderit të AAK-së është shtyrë më 13 shkurt të vitit 2012. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ishte shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u rigjykua në muajin gusht në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe krime që bien ndesh me ligjet e luftës.