E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë: Paraqiten argumentet kundër Karaxhiçit

Prokurorët për krime lufte paraqitën argumentat e tyre të shumëpritura kundër të akuzuarit për krime lufte, Radovan Karaxhiç, i cili e bojkotoi gjyqin për të dytën ditë me radhë.

Në deklaratën e hapjes, prokurori Alain Tieger e quajti Karaxhiçin "Komandanti Suprem"i një ushtrie përgjegjëse për spastrimin etnik, që e terrorizoi popullsinë civile gjatë luftës së viteve 1992-1995.  

Karaxhiç po vetëmbrohet në gjyqin ndaj tij dhe ai refuzoi të marrë pjesë në gjyqin që po zhvillon Gjykata e Hagës, duke thënë se i nevojitet më tepër kohë për t'u përgatitur për vetëmbrojtjen.

Gjykata e ka hedhur poshtë këtë kërkesë të Karaxhiçit dhe kryegjyqtari O Gon Kwon tha sot se po shqyrton mundësinë e caktimit të një avokati për përfaqësimin e të pandehurit, në se ai e vazhdon bojkotin.

Prokurorët e akuzojnë Radovan Karaxhiçin për orkestrimin e masakrës së vitit 1995 ndaj rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë pranë Srebrenicës. 64-vjeçari Karaxhiç përballet me 11 akuza për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Policia serbe e arrestoi Radovan Karaxhiçin vitin e kaluar, pasi ai qëndroi për 12 vjet i fshehur, si një nga të kërkuarit kryesorë për krime lufte. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›