FMN, vlerësim pozitiv për situatën ekonomike në Shqipëri

Shqipëria, ndër vendet e pakta me rritje pozitive, ekonomistët parashikojnë një rritje prej 6 përqind
Fondi Monetar Ndërkombëtarë në vetëm një javë qëndrim në Shqipëri ka konstatuar klimën pozitive të ekonomisë shqiptare, në një kohë kur e gjithë bota u prek nga kolapsi i krizës financiare. Përfaqësuesit e FMN-së parashikojnë që rritja ekonomike e Shqipërisë të shkojë në kufijtë e 4-6 për qind. Shefi i misionit të FMN për Shqipërinë, Gervin Bell u shpreh gjatë një konference për shtyp me ministrin e Financave Ritvan Bode se buxheti i 2010-ës është shumë i rëndësishëm për vendin, në kushtet e rikuperimit të efekteve të krizës. “Në kushtet aktuale buxheti 2010 bëhet shumë i rëndësishëm për vendin. Me anë të tij qeveria mund të stimulojë një pozicion më të fuqishëm të ekonomisë në raport me zhvillimet globale si edhe të nxisë fondet financiare drejt produktivitetit”, u shpreh Gervin Bell, shef i misionit të FMN për Shqipërinë. Bell theksoi se sipas statistikave të FMN, në vitin 2009, Shqipëria është një nga vendet e pakta në botë që ka rritje progresiste. “Shqipëria në vitin 2009 është njëri nga vendet e pakta në botë që ka rritje pozitive dhe kjo është optimiste tashmë që me e keqja e krizës tashmë është pas nesh”, tha Bell. Nga ana tjetër, ministri i Financave Ritvan Bode u shpreh se buxheti i vitit 2010 do të jetë një instrument i fortë për të tejkaluar të gjithë efektet e krizës financiare ndërkombëtare. “Buxheti është jo aq konservativ sa do ta dëshironte Fondi apo Banka, por qeveria në një kuptim është konservative; në kuptimin e ruajtjes së kontigjencave të larta”, tha ministri i Financave, Bode. Pas qëndrimit njëjavor në Shqipëri, misioni i FMN bën vlerësim pozitiv për ekonominë shqiptare dhe vlerëson se e keqja më e madhe e krizës është hedhur pas, ndërkohë që Banka e Shqipërisë apelon për kujdes të vazhdueshëm. “Kemi qenë shumë të impenjuar dhe të vëmendshëm dita-ditës për të ndjekur nga afër dhe për të ofruar stimujt e nevojshëm, të domosdoshëm që ekonomia të mos binte në krizë dhe e mundësuam këtë”, tha Bode. Pas këtij misioni qeveria dhe FMN kanë rënë dakord që në fillim të 2010 të nënshkruajnë një marrëveshje të re në kuadër të artikullit 4.
...