Hagë, arrestohet një dëshmitar i çështjes Haradinaj

Në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë, ka filluar rigjykimi i pjesshëm kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj. Ky është rigjykimi i parë në historinë 18 vjeçare të Gjykatës, e cila më 3 prill të vitit 2008 kishte liruar Haradinajn dhe Balajn. Brahimaj ishte dënuar me 6 vjet burg.
Prokurori Paul Rogjers tha në seancën e sotme se të tre të akuzuarit ishin përfshirë në torturat dhe vrasjet.
“Viktimat ishin rrahur, torturuar dhe në disa raste ishin vrarë, pavarësisht nga etniciteti i tyre”, tha zoti Rogjers dhe shtoi se viktimat, nga i akuzuari Haradinaj dhe liderët e tjerë të UÇK-së, ishin parë si “kolaboracionistë, spiunë dhe të dyshuar për tradhëti”, kundër forcës për pavarësi.
Bëhet e ditur se në pranga ka rënë dëshmitari kyç i çështjes, Shefqet Kabashi, ndërsa refuzoi të dëshmonte në procesin e parë. Avokati i Haradinaj, Ben Emerson, tha në Gjykatë se prokurorët do ta ftonin Kabashin, ish luftëtar i UÇK-së, për të dëshmuar të premten, por mbetet e paqartë nëse ai do të përgjigjet në pyetjet e tyre.
Në një deklaratë të Gjykatës së Hagës thuhet se dëshmia e Kabashit “është relevante për rigjykim, pasi ajo ndërlidhet me përgjegjësinë e dyshuar të të akuzuarve për krime të kryera në selinë e UÇK-së” dhe në një burg, që UÇK-ja e mbante në fshatin Jabllanicë.