Hagë, nis procesi kundër Gjorgjeviçit, të akuzuarit për krime lufte
Ka nisur dje në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë procesi i Vlastimir Gjorgjeviç, një ish-zyrtar i lartë serb, i akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte në Kosovë në vitin 1999. “Gjorgjeviç mori pjesë në një fushatë spastrimi etnik kundër popullsisë civile të shqiptarëve të Kosovës në periudhën 1 janar-20 qershor 1999”, - deklaroi prokurori Çester Stamp. Prokurori vazhdoi më tej deklaratën duke thënë se, “gjatë konfliktit, mijëra civilë janë vrarë dhe 800 000 të tjerë, ose më tepër se një e treta e shqiptarëve të Kosovës, janë dëbuar nga forcat e armatosura jugosllave dhe serbe”. Nga ana e tij, Vlastimir Gjorgjeviç, 60 vjeç, është shprehur i pafajshëm. Ish-zyrtari serb pritet të përgjigjet për vrasje, për dëbime, largime me forcë dhe për persekutime për arsye politike, raciale dhe fetare. Ai është arrestuar më 17 qershor të vitit 2007 në Malin e Zi dhe është transferuar po atë ditë në Hagë. Procesi i tij do të jetë i pesti dhe çështja e fundit që gjykohet nga Haga lidhur me krimet e kryera në Kosovë.
28 Janar 2009