E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimi i Kumbaros, pala shqiptare paraqet provat



Tiranë - Përfaqësues të palës shqiptare paraqitën dje prova të pakundërshtueshme në Gjykatën e Londrës, që shqyrton çështjen e ekstradimit të Ilir Kumbaros. Materialet kanë përfunduar atje me korrier diplomatik dhe përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Londër ka paraqitur dokumentacionin, që sipas burimeve, vërteton se personi që duhet të ekstradohet është pikërisht i kërkuari nga Drejtësia shqiptare, Ilir Kumbaro.
Provat
I ndaluari, që sipas Drejtësisë shqiptare është ish-zyrtari i SHIK-ut, është vënë nën akuzë për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Ai pretendon se quhet Shaqa Shatri dhe është me origjinë ish-jugosllave. Gjatë paraqitjes së provave policia tregoi se në momentin e arrestimit, në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një leje për drejtim automjeti me emrin Indrit Kumbaro, që sipas dokumenteve në Shqipëri, është pikërisht djali i Ilir Kumbaros. Po ashtu është gjetur edhe një pasaportë ish-jugosllave me emrin Shaqa Shatri, me origjinë nga Kosova. Por, pas verifikimeve, ka dalë se në Kosovë jeton një person me emrin Shaqa Shatri dhe mbi të arrestuarin është ngritur edhe akuza e përvetësimit të identitetit. Në vijim të ndryshimit të identitetit është verifikuar se edhe vëllai i Kumbaros, i quajtur Dashamir Kumbaro, është paraqitur pranë autoriteteve britanike për të kërkuar azil me emrin Dashamir Shatri.
Arrestimi
Ilir Kumbaro, njëri nga katër ish-shikasit e akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka qëndruar në Angli, por autoritetet e këtij vendi fillimisht i kthyen përgjigje negative Prokurorisë dhe Interpolit shqiptar për arrestimin e tij. Interpol Tirana dhe Prokuroria shqiptare dhanë adresën e saktë të banimit të Kumbaros në Angli, por autoritetet britanike kthyen një përgjigje, sipas së cilës “u verifikua subjekti i kërkuar nga ana juaj, por nuk ndodhet”. Më pas u dhanë të dhëna mbi identitetin e tij me një emër të dytë, të rremë, që përdorej nga ish-zyrtari i Shërbimit Informativ për t’i shpëtuar ndjekjes dhe arrestimit nga policia. Kumbaro u ndalua në kryeqytetin britanik, Londër, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli, pasi kishte qenë për një kohë të gjatë në mbikëqyrje. Autoritetet policore britanike sqaruan për mediat atje se pas një hetimi disamujor u bë e mundur gjetja e vendndodhjes së tij. U raportua se i kërkuari kishte ndërruar disa herë vendqëndrimin në Londër, që policia të mos binte në gjurmët e tij. Madje Policia britanike kishte kërkuar disa kohë më parë nga Policia shqiptare foton e Ilir Kumbaros, për ta krahasuar me personin që kishte në vëzhgim.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›