E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, vazhdon gjykimi i Radovan Karaxhic

HAGE-Edhe sot në Hagë sh-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhic, paraqiti kornizat e mbrojtjes së tij.
Karaxhic në Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë përballet me 11 akuza për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë.

Gjykimi filloi dje, pas katër muaj ndërprerje. Nesër trupi gjykues do të dëgjojë dëshmitarin e parë të prokurorisë.

Dje ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç u tha gjykatësve në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi se kauza e Serbisë në luftën e Bosnjes në periudhën 1992-95 ishte “e drejtë dhe e shenjtë”.
Me anë të një deklarate të palës mbrojtëse, Karaxhiçi mohoi akuzat për dëbimin e popullatës joserbe nga shtëpitë e tyre, duke thënë se objektivi i serbëve ishte mbrojtja e jetës dhe pasurisë së tyre.

“Nuk dua të vetëmbrohem duke thënë se nuk isha i rëndësishëm apo nuk mbajta një post të rëndësishëm kur i shërbeja popullit tim dhe as nuk do t’ia kaloj dikujt tjetër fajin. Unë do të mbroj vendin dhe popullin tim si dhe kauzën e tyre,” tha Karaxhiçi.

64 vjeçari Karaxhiç përballet me dy akuza për genocid dhe 9 akuza të tjera për vrasje, shfarosje, persekutim, deportim të detyruar si dhe për mbajtjen peng të 200 punonjësve të OKB-së. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Prokurorët thonë se Karaxhiçi orkestroi një fushatë për shkatërrimin e komunitetit musliman e atë kroat në Bosnjen lindore për të krijuar një shtet të pastër serb.

“Prokurorët më akuzojnë për planifikimin dhe nxitjen e largimit të muslimanëve dhe kroatëve nga territoret e Bosnje-Hercegovinës prë të cilat serbët kanë pretendime. Serbët kërkonin territoret e tyre, kjo do të dalë këtu dhe nuk është krim. Prokuroria e paraqet këtë si krim. Këtë pretendim të prokurorisë do ta dëgjojmë këtu dhe kjo tregon se sa falso është i gjithë ky gjyq, i bazuar krejtësisht në shpifje,” tha Karaxhiçi.

Gjatë fushatës Sarajeva u mbajt e rrethuar për 44 muaj, ndërkohë që u torturuan e u vranë qindra të burgosur në kampet çnjerëzore të burgimit. Ajo fushatë arriti kulmin me masakrimin e rreth 8 mijë meshkujve muslimanë gjatë një jave të tmerrshme në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, masakra më e rëndë në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Karaxhiçi është figura më e rëndësishme që del në gjyq që prej ish presidentit jugosllav Slobodan Milosevic, i cili vdiq nga një goditje në zemër më 2006 para se të përfundonte gjyqi i tij.

Karaxhic tha se para konfliktit pranoi disa herë propozimet e paqes të paraqitura në një konferencë ndërkombëtare. Ai akuzoi udhëheqësin e Bosnjes, Alija Izetbegovic për kundërshtimin ose shkeljen e këtyre propozimeve.

Aktpadia kundër Karaxhiçit u ngrit fillimisht në vitin 1995. Ai i shpëtoi NATO-s për më shumë se një dekadë dhe u kap në korrik të vitit 2008 në Beograd.

Karaxhiçi nuk pranon avokatë mbrojtës dhe po vetëmbrohet në gjyq megjithëse i mungon ekspertiza ligjore. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili e krijoi Gjykatën e Hagës në vitin 1993, ka dhënë urdhër që të mos hapen çështje të tjera.

Gjykata ka ngritur padi kundër 161 zyrtarëve politikë e ushtarakë, nga të cilat 40 raste ende vazhdojnë.

Dy ish zyrtarët ë lartë vazhdojnë t’i shpëtojnë drejtësisë dhe mund të nxirren në gjyq në Hagë: ish komandanti i lartë Ratko Mlladiç, dhe udhëheqësi serbo-kroat Goran Haxhiç.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›