Hagë, vendoset për emrin e Maqedonisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në Hagë do të bëjë sot publik aktgjykimin në lidhje me padinë e ngritur nga Shkupi zyrtar kundër Athinës për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme Dypalëshe të vitit 1995, gjatë së cilës u bllokua pranimi i Maqedonisë në NATO në Samitin e NATO-s të vitit 2008 në Bukuresht.
Sipas procedurave të parashikuara në ligj gjykata, dy javë para shpalljes së vendimit ka informuar të dyja palët. Maqedonia kërkon që Greqia të respektojë detyrimet e saj të parashikuara me Marrëveshjen e Përkohshme dhe të mos e bllokojë anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkohë që Athina zyrtare ka mbrojtur qëndrimin se në Samitin e Bukureshtit nuk ka pasur bllokim dhe veto nga Greqia, por konsensus midis vendeve anëtare që shtynë anëtarësimin deri në zgjidhjen e kontestit të emrit. Greqia gjithashtu kërkoi që Gjykata të shpallet jokompetente për të zgjidhur këtë çështje.