E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hague-Hoxhajt: Britania do vijojë mbështetjen për Kosovën

PRISHTINË- Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë një letër nga Sekretari i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, ku i shprehet mbështetja e plotë e Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të pavarësisë, sipas Ministrise se Jashtme kosovare. 

“Kosova vazhdon të ketë progres në konsolidimin e pavarësisë së saj. Nga koha kur më keni shkruar, Grupi Ndërkombëtar Drejtues është pajtuar që Kosova ka zbatuar Propozimin Gjithëpërfshirës në mënyrë përmbajtjesore, duke e hapur kështu rrugën për përmbyllje të Mbikëqyrjes së Pavarësisë pas mbledhjes së GND-së në shtator”, thuhet në letër. 

Duke folur për procesin e integrimeve euroatlantike të Republikës së Kosovës, William Hague thekson në letrën dërguar Ministrit Hoxhaj se pret publikimin e studimit të fizibilitetit të Komisionit Evropian që do të publikohet në tetor. Kjo, sipas tij, paraqet një hap tjetër në progresin e pakthyeshëm të Kosovës drejt BE-së. 

Hague, inkurajon institucionet e Kosovës që me energji dhe përkushtim të ndjekin reformat shumë të nevojshme për progres të vazhdueshëm, duke siguruar Ministrin Hoxhaj se dhe më tutje, Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë fuqishëm subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Ju uroj në sigurimin e njohjes nga gati gjysma e Kombeve të Bashkuara”, thekson Hague në letër.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›