E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Thaçi po e jep Kosovën në mënyrë të trefishtë

PRISHTINË- Kosova, në vend se të hyjë në negociata me Serbinë për veriun, do të duhej të ndërmerrte hapa të njëpasnjëshëm, në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse, për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Kosova Info lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sa i përket dialogut të mundshëm me Serbinë për çështjen e veriut. Ai ka akuzuar qeverinë aktuale dhe kryeministrin Thaçi për të gjitha të këqijat që po ia shkaktojnë vendit.

Duke folur për krizën politike në vend, Kurti deklaroi se Hashim Thaçi dhe qeveria e tij janë emri dhe shkaktari i krizës në Kosovë, “sepse aq shumë dëme i ka shkaktuar vendit ky njeri sa tashmë e ka të pamundur të mos bëjë dëme prapë”, raporton Telegraf.

Ai vlerëson se Kosova nuk do të duhej të hyjë në dialog me Serbinë për çështjen e veriut.

“Në momentin që pranojmë se veriu i vendit është një problem i cili duhet negociuar me Serbinë, ky është hapi i parë i heqjes dorë nga sovraniteti i plotë. Kosova në vend se të hyjë në negociata me Serbinë për veriun, do të duhej të ndërmerrte hapa të njëpasnjëshëm, në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse, për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Kurti thotë se Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë dialogun dhe do të bëjë të pamundurën për ta ndaluar krejtësisht si dhe do të insistojë vazhdimisht në votëbesimin e Qeverisë.

Ndërsa duke komentuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e presidentes Jahjaga, Kurti vlerëson se marrëveshja Thaçi - Pacolli - Mustafa ka qenë një marrëveshje jashtë institucionale dhe mbikushtetuese, një marrëveshje e dëmshme për vendin, qoftë shikuar nga mënyra se si është arritur, por edhe për nga pasojat që ka prodhuar.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›