E Diel, 1 Nëntor 2026

Hague: Serbia të zbatojë marrëveshjet

“Serbia duhet t`i kthehet dialogut sa më parë dhe që sinqerisht të zbatojë në jetë marrëveshjet e arritura deri tashti me Prishtinën. Presidenti Boris Tadiç dhe anëtarët e tjerë të qeverisë serbe na kanë bindur se Serbia ka ndërmend ta bëjë këtë”, ka thënë ministri i Punëve të jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague.
“Ne kemi përshëndetur këto bindje, por kryeministri David Cameroon dhe unë gjithashtu kemi qenë të qartë se është e nevojshme të shihet përkushtimi për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për Kosovën, zgjidhje që duhet të fillojnë të shtrihen më tutje në muajin e ardhshëm”, tha Hague në një intervistë për gazetën serbe Blic.
Ai ka shtuar se “dëshmimi i këtij përkushtimi nëpërmjet zbatimit në jetë të marrëveshjeve ekzistuese, angazhimi konstruktiv për arritjen e marrëveshjeve të reja, si dhe shprehja e gatishmërisë për të nisur zgjidhja e disa prej çështjeve të rënda në veri të Kosovës, do të jenë kyçe për t`u bindur të gjitha vendet anëtare të BE-së”.
Pas takimit të djeshëm të presidentit serb me kryeministrin britanik, shefi i diplomacisë britanike theksoi se është me rëndësi kyçe jo vetëm vazhdimi i dialogut, por edhe zbatimi në jetë i marrëveshjeve, e veçmas i lëvizjes së lirë, do të jetë “pjesë e kornizës në bazë të së cilës Britania dhe vendet e tjera të BE-së do të vlerësojnë përkushtimin, përparimin dhe qëllimet e Serbisë në fushën e bashkëpunimit rajonal”
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›