Meta: Jemi për sistem proporcional kombëtar
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi sot një takim në qytetin e Elbasanit ku tha se komisioni parlamentar për reformën zgjedhore duhet të ishte krijuar prej kohësh. Ne, tha ai, nga ana jonë do të angazhohemi që ky komision të përmbushë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të pasur standardet më të larta në zgjedhjet e ardhshme. “Më duhet të nënvizoj se është shumë e rëndësishme që ky të jetë një proces i cili konsensusin e orienton drejt standardeve dhe nuk i sakrifikon standardet për hir të çdo lloj konsensusi. Qëllimi është që të arrijmë standarde më të larta në zgjedhje se konsensus kemi pasur edhe në të kaluarën. Në këtë drejtim besoj së është shumë e rëndësishme edhe barazia e votës. Të respektohet ky parim shumë i rëndësishëm kushtetues dhe në çmojmë se për aq kohë sa baza e sistemit mbetet proporcional, pavarësisht se proporcional rajonal apo kombëtar, është tepër e rëndësishme që të kemi një barazi të votës të të gjithë qytetarëve shqiptarë pavarësisht se ku ata jetojnë dhe pavarësisht nga çdo dallim tjetër”, theksoi Meta.
Në këtë drejtim ne e mbështesim çdo lloj opsioni, tha ai, si atë të kalimit në proporcional kombëtar ashtu edhe korrektimin e sistemit aktual që është proporcional rajonal. “Ne jemi të hapur për të diskutuar në mënyrë që të gjenerohet konsensus maksimal që plotëson standardet më të larta për zgjedhjet, që të mbyllet një herë e mirë kapitulli i kontestimit të tyre pas zgjedhjeve. Njëkohësisht përshpejtimi i të gjitha reformave të tjera ekonomike është një domosdoshmëri. Shqipëria ka arritur të ruajë një qëndrueshmëri ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve mjaft të vështira për rajonin, për fqinjët tanë kryesore, për Evropën në përgjithësi”, u shpreh Meta.