E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajduku i Bulkut miqësore me Barcelonën

TIRANË- Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ervin Bulku, që aktivizohet në radhët e skuadrës kroate të Hajdukut të Splitit, do të luajë një takim miqësor përballë spanjollëve të Barcelonës.

Ky takim pritet të organizohet në 25 Korrik të vitit të ardhshëm në stadiumin "Poljud" të Splitit, pikërisht ditën kur do të festohet 100 vjetori i themelimit të klubit të shquar kroat, më të vjetrit në Kroaci dhe më të vjetrit edhe në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
I vetmi minus i kësaj ndeshjeje të madhe do të jetë mungesa e Lionel Mesit, lojtarit më të mirë të botës, ndërsa ajo e Dani Alveshit bie më pak në sy. Argjentinasi besohet se nuk do të jetë për shkak të impenjimeve të tjera.
Gjithsesi, në mesfushë, Bulku do të ketë mundësi të matet me lojtarë si Andres Iniesta apo Xavi Hernandez, gjithnjë nëse do të përzgjidhet për të luajtur, pasi kohët e fundit nuk po aktivizohet me minutazh të kënaqshëm në radhët e të bardhëve të Splitit.
Ish-lojtari i Tiranës dhe i Krivbasit në Ukrainë u bashkua me klubin kroat në verë të këtij viti, i ndihmuar edhe nga prania e menaxherit shqiptar, Adrian Aliaj, ish-lojtar i kombëtares dhe i Hajdukut.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›