E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajdutët po ‘zhveshin’ Kishat-monument kulture

KORCE- Hajdutët i kanë “zhveshur” dy kishat më  të njohura të Voskopojës,  atë të Shën Mërisë dhe  të Shën Thanasit. Është  skandaloze kjo që po ndodh me objektet e kultit, pasi po  humbasin vlerat e tyre të vërteta, vlerat kulturore  dhe historike. Kështu deklaroi  dje prifti i Voskopojës,  Thoma Samara. Në një intervistë  për “Gazeta Shqiptare”,  Samara tregon me  detaje mbi bastisjen e  kishave të Voskopojës, të  cilat janë monumente kulture  të kategorisë së parë.

Ai  thotë se policia nuk ka mundur  të vejë në pranga asnjë  nga grabitësit, ndërsa Drejtoria e Monumenteve të Kulturës  premton, por nuk bën  asgjë për mbrojtjen e  kishave.  Herë pas here, kishat e  Voskopojës janë bërë preh  e vjedhjeve nga persona të papërgjegjshëm. 
Çfarë  mund të thoni në lidhje me këtë fenomen?
Është një humbje e madhe  për kishat, për ne, për të  gjithë. Nuk është mirë që  dëmtohen kështu objektet e  kultit. Duhet ndërgjegjësim.  Këto kisha po humbasin vlerat e tyre të vërteta, po humbasin vlerat kulturore dhe  historike. Vjedhjet e tyre janë të ripërsëritura.
Çfarë objektesh ka aktualisht në këto kisha?
Vetëm piktura murale.  Ne kemi dhënë herë pas here  alarmin për bastisjen e  kishave, dhe organet kompetente  duhej ta vlerësonin  seriozisht situatën dhe apelin  tonë. Në Kishën e Shën  Mërisë dhe të Shën Thanasit në Voskopojë,  ikonostaset janë grabitur  vjet, ndërkohë që kambanorja  300-vjeçare e Shën  Mërisë u vodh para pak  ditëve. Është skandal kjo që  ndodh me objektet e kultit,  por nuk kemi se çfarë të bëjmë.
Po në bastisjet e mëparshme të dy kishave, çfarë objektesh janë vjedhur?
Në vjedhjet e mëparshme u zhdukën nga kisha balda baldakini,  ikonostasi, 18 ikonat në  krye të tij, dhe shumë objekte  të tjera të çmueshme.
Kisha e Shën Thanasit  mbart vlera të rralla historike,  etnografike e fetare,  pasi ka një ansambël pikturash  murale, të realizuara  nga vëllezërit Kostandin  dhe Athanas Zografi në  vitet 1744-1745.  I keni denoncuar në polici  të gjitha rastet e
vjedhjeve?  Në të gjitha rastet e bastisjeve  të kishave, ne kemi  bërë denoncim. Por, nuk është  vënë në pranga asnjë autor.  Deri tani, organet kompetente  kanë thënë vetëm fjalë  dhe asnjë vepër. Ja ku erdhi  koha, kur kanë mbetur vetëm  muret e kishave.  
Po me Drejtorinë e Monumenteve  të Kulturës keni  kontaktuar në lidhje me  vjedhjen e kishave si dhe ruajtjen  e tyre?
Patjetër që kemi kontaktuar. Na premtuan se do vendoseshin roje, kamera dhe sinjale,  por asgjë. Kishat gjithmonë grabiten në kohë restaurimesh,  si tani. E përsëris, kjo  është një humbje e madhe për  të gjithë ne, sidomos për këtë  zonë turistike. Objektet e  kultit po mbeten në mëshirë  të fatit.
Cili është apeli juaj?
I bëj një apel policisë, të gjejë  autorët e ngjarjes dhe të ndalen këto veprimtari kriminale ndaj objekteve të kultit.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›