Hajnaj: BKH është një nga sukseset e reformës në drejtësi, duhet qasje gjithëpërfshirëse ndaj korrupsionit

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj tha sot se korrupsioni është një fenomen që nuk luftohet i copëzuar, por me një qasje gjithëpërfshirëse.
E pranishme në mbledhjen e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës, e cila për herë të parë zhvillohet në Tiranë, Hajnaj tha se korrupsion dëmton cilësinë e jetës së qytetarëve të një vendi. Ajo tha se ky fenomen duhet luftuar përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, të përditshme dhe me bashkëpunimin me institucionet brenda e jashtë vendit.
“Korrupsioni godet sundimin e ligjit dhe dëmton cilësinë e jetës së qytetarëve, shkatërron shoqërinë dhe çon drejt fenomeneve të rrezikshme, prandaj ne duhet ta ndalim. Jemi të përkushtuar për të ndërtuar një shtet ligjor, që trajton të gjithë qytetarët si të barabartë përpara ligjit. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe vullneti ynë për të ndërtuar shtetin e së drejtës është realitet”, tha Hajnaj.
Sipas saj, “lufta ndaj korrupsionit nuk mund të bëhet e copëzuar, selektive, por gjithëpërfshirëse, e përditshme dhe me bashkëpunim reciprok të të gjithë mekanizmave institucionalë brenda vendit dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
“Me punën tonë deri tani, kemi dëshmuar se kemi ndërtuar kapacitetet, si në burime njerëzore, profesionale e logjistike. Këto po arrimë t’i harmonizojmë për të arritur në suksesin e luftës ndaj korrupsionit”, përfundon Hajnaj.
“Si drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit më duhet të pranoj se ky institucion është një nga sukseset e reformës në drejtësi, rekrutimi për zgjedhjen e drejtorit, rekrutimin e stafit”, u shpreh Hajnaj.
Hajnaj tha se Byroja Kombëtare të Hetimit, është shtuar me 40 hetues të rinj, nga 60 që ishin deri tani.
Drejtuesja e BKH-së, shtoi se “jemi fokusuar tek trajnimet sa i përket luftës kundër korrupsionit si dhe në ngritjen e kapaciteteve logjistike”.
“Kemi rritur bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar sa i përket shkëmbimit të informacioneve, profesionale dhe logjistike”, shtoi Hajnaj.
Hajnaj tha se progres në raportet e Komisionit Evropian janë përcaktuar detyrat sa i përket BKH-së dhe ngritja e këtyre kapacitete mbetet një nga sfidat e BKH-së.
“BKH, kontribuon edhe në strategjinë, planin e veprimit të pastrimit të parave dhe si kontribues që jemi, një nga sfidat tona janë edhe plotësimi i këtyre detyrimeve, me qëllim që mos të kthehemi më në listën gri, të cilën e kaluam me sukses”, tha Hajnaj.
Hajnaj shtoi se nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit pa garantuar integritetin profesional.
“Ruajtja e integritetit profesional, që bashku me raportin e fortë të besimit, mbetet shtylla e zhvillimit të rezultateve në luftën kundër korrupsionit”, tha Hajnaj.
“BKH, bazuar në rezultate konkrete, ka iniciuar dhe kryer hetime në disa raste, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, kanë bërë verifikime edhe i kanë referuar rastet në SPAK. Janë referuar në SPAK, 26 raste, prej nga të cilat 19 raste janë të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale”, u shpreh Hajnaj.
/a.f/r.e/