E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Emërimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, Manja: Proces i distancuar tërësisht nga politika

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha sot gjatë mbledhjes së Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës, që u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë, se një nga synimet e Reformës në Drejtësi, ishte distancimi i politikës nga drejtësia.

I pyetur në lidhje me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ministri Manja theksoi se me Reformën në Drejtësi “e kemi parë si element të pavarësisë së sistemit të drejtësisë”.

“Sot që të bëhesh gjyqtar dhe prokuror në Republikës e Shqipërisë duhet të kesh mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Shkolla e Magjistraturës në Shqipëri është një histori suksesi dhe funksion në monitorimin e KiE-së, që pas 1998. Pas mbarimit të shkollës, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, janë dy organe që bëjnë emërimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorisë. Është një proces i distancuar tërësisht nga politika, pranimi në Shkollën e Magjistraturës bëhet nëpërmjet një procesi konkurrues të drejtë dhe të monitoruar”, tha Manja.

Manja u shpreh se “për t’u bërë gjyqtar në Republikën e Shqipërisë duhet të kesh 11 vite formim juridik, 5 vite Fakulteti i Drejtësisë, 3 vite janë punë jurist, të ushtrosh profesionin e juristit dhe vetëm pasi të kesh kryer edhe 3 vite punë si jurist të lind e drejta për të konkurruar në Shkollën e Magjistraturës. Pasi fiton, i nënshtrohesh një programi trajnimi fillestar, 1 vit trajnim fillestar, 2 vite praktikë”.

Manja shtoi se “në përfundim të Shkollës së Magjistraturës, bazuar në renditjen në bazë të meritës, Këshilli i Lartë Gjyqësor në përputhje me gjykatat ku janë vendet vakante, bën emërimin, e njëjta situatë është edhe për prokurorët, në Shkallët e Para në gjyqësorit”.

“Ngritja në karrierë është përcaktuar në ligjin për magjistratët. Janë këshillat që bëjnë ngritjen në detyrë pasi ke plotësuar kriteret sipas ligjit. Ky ishte një nga synimet e reformës në drejtësi, ka qenë distancimi i politikës nga drejtësia”, u shpreh Manja.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›