E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajni, ciu-ciu-ciu dhe tra-la-la

08-01-2013 / Nga Eden Babani

Pasi e përcollëm Mjekroshin 2012 me qokat e njohura që një brez ia kalon tjetrit, e pritëm me qoka të njëjta Rioshin 2013, i cili ka hedhur tashmë hapat e parë në rrugëtimin e tij treqind-e-gjashtëdhjetë-e-ca-ditor. Bashkë me të, edhe Vitin e Ri - le ta quajmë - Mediatik. Ndër të tjerat, dy të rejat që u sollën shqiptarëve mediat në këtë fillim viti janë hajnia dhe ciu-ciu-ciu, që të dyja, ndoshta, më të pazakontat dhe më të bujshmet lajme që mund të sillte një vit i ri mediatik, thagma të vërteta. Jam i bindur si një e një që bëjnë dy se refreni tra-la-la do t’i ndjekë dy të parat përgjatë gjithë vitit të trazuar zgjedhor, para dhe pas zgjedhjeve.
S’ka asnjë dyshim se mjeshtëria e hajnisë është ndër më të vjetrat. Ajo daton që me lindjen e shoqërisë njerëzore, qysh se paraardhësit e stër-stërlashtë të njeriut fituan vetëdijen se pjesë të botës që njihnin (mjerisht, atëherë bota njihej shumë-shumë pak), duke qenë të të gjithëve, mund të përvetësoheshin një nga një, dy nga dy ose shumë nga shumë. Nga ky këndvështrim, ushtrimi i mjeshtërisë së hajnit prej Kostë Barjabës dhe familjes së tij në SHBA ndërsa ishin për pushimet e fundvitit, për mua nuk qe ndonjë e papritur kushedi se çfarë. Familjarisht, ata vinin nga mjedise politike, ku, siç thonë e siç del nga të rejat e përditshme që jep shtypi (Shkëmbi i Pogradecit, fjala vjen), prova e parë e të qenit politikan është të kryesh një akt hajnie. Ç’ të papritur ka në këtë mes? Mua, sa herë e kam dëgjuar emrin akademikut Barjaba, më ka tërhequr jo aq qenia e tij në kupolën socialiste të Edi Ramës, sa tingëllimi i përafërt me emrin Barabba, një i burgosur të cilit, sipas Testamentit të Ri, Ponc Pilati i dhuroi lirinë përpara Jezu Krishtit, duke u nxitur prej thirrjeve të turmës: “Hosana Barabba!”. Distancimi i Saimir Tahirit (lexo: i Edi Ramës) nga akti i Kostë Barjabës me familje të kujton bash thirrjet e turmës këtu e afro dymijë vjet përpara, por kësaj here në shumës dhe me tjetër destinacion, jo për të falur ndonjë të pabindur, por hajnat: Hosana Barabba-t tanë të shumtë. Në djall, njëri që s’diti të vjedhë e u zu me presh në duar. Zgjedhjet do t’i fitojmë. Hosana, pra! Dhe, kur t’i kemi duart në buxhet, do të vjedhim ca nga ca e me lezet...
Nuk është gjetja ime kjo e lezetit. Është gjetje e një lideri socialit. Jehonën e ideve të liderit socialist, na e përcolli të dielën e parë të këtij viti me tra-la-la një militant po ashtu socialist i vogël, ama fare-fare i vogël nëmos i padukshëm, me pseudonimin “Vathi”, i cili nuk komentonte vjedhjen e akademikut kuço-minoritar, ish-kandidat për deputet nê listat e PS-së bash atëherë kur lideri socialist bërtiste “Hap kutitë ose largohu!” por shante gazetën 55 se kishte denoncuar hajninë! Uroj të mos jetë ndonjë nga të njohurit e mi me emrin Vath, për të cilët kam pasur dhe ruaj respekt...
Thagma e dytë mediatike e këtij viti ishte konferenca e shtypit e Edi Ramës në twitter. Njihen tashmë ciu-ciu-ciu-të e tij në rrjetin e njohur social të internetit. I kam njohur unë, i ke  njohur ti, i ka njohur ai tjetri ose ajo tjetra, mund t’i njohë gjithkush që ka dëshirë të mësojë nga gjuha e zogjve. Ndaj, për vete, edhe këtë “hobi” të kahershëm të kryetarit të PS-së nuk e mora për risi. Refrenet me tra-la-la, po. Unë, që kam jo vetëm durim pa skaj të lexoj kësi tra-la-la-sh, por edhe ëndje për t’u zbavitur me to në kohën e lirë, madje më mirë se sa me një rebus, gjeta mes syresh lëndën e mjaftueshme që më joshi për shkrimin e parë të këtij viti. Më ectë mbarë mua, të ectë mbarë edhe ty Ilir, sepse jo unë dhe kolegët, por ti si kryeredaktor i 55-s do ta kesh rëndesën më të madhe mbi shpinë gjatë këtij viti zgjedhor. Do të jetë mbingarkesë që, për vete, s’di në do ta përballoj dot apo jo! Zoti të na ruajë, ç’do të na shohin sytë e ç’do të na dëgjojnë veshët deri ditën e zgjedhjeve. Apo s’ka ide Edi Rama! Vetëm thesi me “rilindje” kushedi se ç’ mban, lëri pastaj të tjerat. Po pas zgjedhjeve, kur të fillojnë lëvizjet revolucionare të tipit “Hap kutitë, ose largohu”? Apo s’ka sivjet edhe mbështetje suplementare! Kot nuk bëri thirrje në twitter lideri i ciu-ciu-ciu-ve për aleancë nga e majta, në të djathtë, domethënë që nga Skënderi, Paskali, Spartaku, Kurti e Co, deri te Kreshniku e te Bamiri. Veç në e shpërngultë veprimtarinë e aleancës rilindëse në twitter...
Twitter-i do të jetë shpëtim për të gjithë. Jo vetëm se është prurje perëndimore, siç thotë zoti a zonja “Kra. Kra” në një koment me rastin e konferencës më të re për shtyp. Sipas zotit anonim a zonjës anonime, “në rrjetet sociale të twitter-it mbajnë konferenca shtypi të gjithë politikanët perëndimorë. Jo më larg se dje, këtë gjë e bëri edhe Monti (KM italian)”. Është fjala për Kryeministrin e dorëhequr të Italisë, Mario Monti, ndaj edhe gjetja është paksa shterpë, sepse Monti është dalluar si Profesor, jo si politikan. Megjithatë, Profesori i mençëm, pasi hetoi opinionin e një pjese shumë të kufizuar të votuesve, u tha atyre “Çiao!”, sepse do të merrej me listat e kandidaturave të ardhshme! Ka të ngjarë që “Kra. Kra.” ose nuk e di se si e mbylli Monti bisedën pa fryt me elektoratin, ose, si perëndimor a perëndimore, e këshillon idhullin e vet t’u shëmbëllejë sadopak politikanëve perëndimorë, pa iu qasur Perëndimit veçse në twitter.
Që t’i mbyll këto shënime lidhur me hajninë, me ciu-ciu-ci-të e Ramës e me tra-la-la-të e ndjekësve të tij, për kureshtjen e lexuesit që s’ka pasur rastin apo durimin të lexojë deri në fund do komente në faqen online të një të përditshmeje tiranase, po sjell një pjesë nga mendimet e njeriut me pseudonimin “Prosperiteti”, i cili ose e cila, pasi na jep një leksion për shoqërinë civile, vazhdon: “Por kjo shoqëri Civile Aktive, është pjesëmarrëse edhe ne drejtimet Humanitare aq të nevojshme në një shoqëri Njerëzore. Gjithashtu pjesë të rëndësishme të  sajë janë Aktive edhe në Politikë, si në rastin konkret, duke dhënë mendimin e Tyre, në x apo y Lemi, dhe njëkohësisht duke mësuar edhe vetë nga mësuesit, është fjala për fillestarët A B Cnë. Mësuesit e devotshëm e japin dijen e tyre, dhe nuk është e këshillueshme nga Nxënësit që të humbasin rrespektin për Mësuesit e Devotshëm, jo të korruptuar, kur ato arrijnë një shkallë dijeje të kënaqëshme! Edhe po të tejkalohet Mësuesi i Devotshëm, jo i korruptuar, nga nxënësi i tijë në dije, një ish Nxënës i mire dhe i devotshëm, jo i korruptuar, nuk humbet rrespektin për Mësuesin e devotshëm dhe jo të  korruptuar. Rrespekti rreciprok, nga Mësuesi i devotshëm, dhe jo i kurruptuar, për ish Nxënësin e Tijë të devotshëm dhe jo të  korruptuar, që ka arritur nivelin e njëjtë të lartësisë, dhe anasjelltas është qelësi i suksesit. Pra një pjesmarrje Masive nga Shoqëria Civile e iniciuar nga Rama, është për tu Përshëndetur, dhe një urim për Vitin 2013, për të gjithë pjesmarrësit e Konferencës së parë të shtypit, në Internet. Faleminderit!”
I nderuar lexues, kërkoj të falur që po të vë në siklet për tê kuptuar idetë e vyera të njeriut “Prosperitet”, të cilat zor se mund të rroken prej një mendjeje të rëndomtë si kjo imja dhe jotja. Që të ta lehtësoja paksa lodhjen në kërkim të tyre, kam ndrequr vetëm zanoren “e”, kur, sipas meje, duhet të jetë “ë”. Me sa duket, “Prosperiteti” s’ka pasur kohë të merret me vogëlsira kësisoj. Të tjerat i kam lënë pa prekur, druaj mos prish kuptimin e frazës. Fjala vjen: “qelësi” apo “çelësi”? unë e lashë pa prekur. Po sikur pas asaj fjale të fshihet ndonjë kod i vyer që zbërthen mendimin e konferencierit? Sepse twitter-i kaq lejon: 140 karaktere, domethënë shkronja, pika, presje etj. Ç’ përgjigje mund t’i jepet një pyetjeje me brendi politike e kufizuar në pak fjalë? Pyetje: ...? Përgjigje: Ciu-ciu-ciu. “Prosperitetit: “Tra-la-la”...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›