Hajredin Kuçi: Brukseli duhet të heqë dilemat

Kosova ka nevojë për një qartësi të pozicionit të Bashkimit Evropian në raport me shtetin e Kosovës. Emërimi i një përfaqësuesi të përkohshëm të Bashkimit Evropian për Kosovën, në Prishtinë shihet si rrjedhojë e dilemave dhe hezitimeve që ka në Bruksel për Kosovën.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se BE-ja do të duhej që të rriste shkallën e përfaqësimit dhe në vend të një zyre ndërlidhëse që ka sot në Kosovë, të vendosë një mission, ashtu siç ka bërë edhe në vendet e tjera.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar se Brukseli ka nevojë që të heqë dilemat, të cilat i ka në raport me Kosovën në mënyrë që t`i mundësojë shtetit më të ri të ecë përpara në proceset integruese dhe kontraktuese me BE-në dhe vendet anëtare.
“Ajo që mund të them është që BE-ja ka nevojë që pengesat politike t`i heqë në raport me Kosovën, ndërsa pengesat apo kushtet e tjera, Kosova duhet t`i plotësojë përballë BE-së”, ka thënë Kuçi.