Hakmarrja e Zylo Kamberit
Atë që ta bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia, thotë një fjale e urtë popullore shqiptare. Në rastin e shkrimtarit të jashtëzakonshëm Dritëro Agolli, tani në moshën e Katërt, kjo maksimë ka vlerë të dyfishtë.
1. Në kuptimin konkret, vajza e Dritëroit, Elona Agolli (ish-Doçi, aktualisht – Muhametaj), së bashku me xhinden (lexo poezinë e shkëlqyer kushtuar së shoqes) nga Shkodra, Sadijen, po tërheqin zvarrë Dritëroin e shkretë për interesa korruptivë (edhe kriminalë?) të dhëndrit Luan. Në fillim e futën në sherr me Fatos Nanon për licencën e panaireve, kur shpiku dhe neologjizmin lapërdhar shkërdhatokraci. I mbaroi punë Nanoja, u rregulluan pipëzat. I duhej Rama dhëndrit, vjehrri i bënte furçe Edit, që dikur e kishte bërë helaq Dritëroin për baltën e Devollit. Tani i duhet Berisha (ai qe çmend një vend të tërë, po sipas Dritëroit), Agolli uron Bashën. Poeti harron tonelatat e fyerjeve që i kishte bërë PD-ja dhe Berisha, plagosjen e çunit për vdekje. E çrëndësi paska çuni para aferave të gocës dhe dhëndrit! Tani PD-ja i organizon edhe veprimtari, i çon karafila.
2. Një nga personazhet më të jashtëzakonshme të krejt letërsisë shqipe dhe asaj euro-lindore, Zylo Kamberi, është pjellë e muzës së pavdekshme agolliane. Por biri letrar, Zyloja, po merr hak, duke e shndërruar shkrimtarin politikan të së majtës në një alter ego të tij. Shihni panairin, ku ftohet Dritëroi dhe ku i hapet një ekspozitë kushtuar shkrimtarit: e organizuan vajza, dhëndri dhe bashkëshortja. Madje dhe njoftimin për shtyp e bënë vajza, dhëndri dhe bashkëshortja, si shkrim promocional. Zylo shkon nga shtëpia e banimit në shtëpinë e biznesit të familjes së lidhur tani me qeverinë dhe Imamin. Fiq, miq, është një sentencë e Zylos në roman. Dhe tani me fiqtë e biznesit të armëve të dhëndrit, Zylo Agolli ka miq në pushtet. Dhe ajo që i vë kapak Zylo Agollit, është deklarata që gjoja nuk shkruaka kujtime, pasi qenkan gjepura. Mediet afër qeverisë e nxorën në plan të parë. U duhet Zylo Kamberi si dash kundër kështjellës së Ramës dhe Kadareve (Ismail dhe Helenë). Tani vlerësohet Zylo Agolli dhe jo Ismail Kadareja, që i kërkoi Bashës të tërhiqej. Prandaj hakmarrja e Zylo Kamberit, një lloj atvrasjeje, është kaq e ëmbël. Është një mëkat njerëzor i gjeniut Dritëro. Në fund të fundit, nuk është perëndi (po të parafrazonim Nolin kur flet për Bethovenin tokësor) që të mos gabojë në moshën e Katërt.
