E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Blushi: Në zgjedhjet e ardhshme, pa LSI. Rikandidimi i Ramës ishte megalomani

Share

Deputeti i PS, Ben Blushi, është rrëfyer në emisionin Top Story për disa çështje të rëndësishme. Gjeni më poshtë pjesë nga intervista e tij.

Për rikandidimin e Ramës

Unë nuk kam pasur mundësi ta them këtë në publik dhe nuk kam dashur ta them. Por, Edi Rama nuk duhet të kishte kandiduar për disa arsye që do tjua them. Nëse ka një gafë politike, është kandidimi i tij në Tiranë për herë të katërt. E para, sepse ai e kuptoi në vitin 2009 se duhet të kandidonte i pari në listën e PS. Kjo ishte një nga kritikat që iu bë atij. E përsëriti duke u thënë të gjithëve që unë nuk pyes, më thoni çfarë të doni, nuk ka rëndësi për mua. E dyta, u dha përshtypja se do më shumë pushtet nga çfarë i takon. Duke u futur për herë të katërt në Tiranë dhe duke kërkuar të futet prapë në vitin 2013, kur do të hyjë si kandidat për Kryeministër, u tha shqiptarëve se mund ti bëjë të gjitha. Nuk mund ti bëjë të gjitha. Koha e njerëzve që i bëjnë të gjitha ka ikur. Duke u futur vetë, tregoi një akt megalomanie. Tha që përveç meje në PS nuk ka kandidatë të tjerë. Është megalomane si teori që unë se pranoj as për vete.

Për votën ndaj Fullanit

Njerëzit kanë arsye ta paragjykojnë sepse mund të mendojnë se si anëtar i Grupit unë duhet të votoj si Grupi. Vota ime në këtë rast nuk ka asnjë cilësi politike, por vetëm një dimension miqësor. Unë me Fullanin jam mik prej shumë vitesh.

Për garën për kreun e PS

Nuk kam rivalitet me Ramën sepse ai është kryetar i PS-së i kandiduar në vitin 2003 me votën time. Mori 140 vota në atë kohë dhe njëra ishte e imja. Edhe në vitin 2005 e votova. Në vitin 2009 nuk kam votuar për Ramën dhe e kam thënë këtë publikisht. Shumica e PS-së e ka zgjedhur kryetar, unë i bindem shumicës. Ka më pak tension seç ka pasur. Duke parë mënyrën si po sillet, kam arsye ta mbështes më shumë, sepse po bën disa gjëra që unë i kam kërkuar.

Për aleancën PS- LSI

Aleanca me LSI-në është një nga intrigat më të mëdha të mozaikut politik shqiptar. LSI-ja që kemi sot nuk është më LSI-ja që ka qenë para vitit 2009 dhe nuk është LSI-ja para 21 janarit. Në të paktën dy vitet e fundit kemi të paktën tre LSI dhe prandaj çështja bëhet më e vështirë dhe është njësoj si të bësh marrëveshje me një njeri që nuk është më ai. Unë nuk mund të them se sa kjo gjë është e mundur. Por, për shkak se LSI është bashkëfajtore në një qeverisje të keqe, për shkak të 21 janarit dhe për gjithë këto arsye, unë smund të them që pakti PS-LSI është më i mundshëm, por mund të them që ne duhet të përgatisim veten që të shkojmë në 2013-n pa LSI-në. Ka disa shkaqe që mund ta pengojnë deri në ditën e fundit këtë gjë, përkundrazi, mund ta kthejnë edhe në armiqësore në raport me ne, seç është sot.

Për Ramën kryeministër

Duket sikur PS-ja nga viti 2008 dhe në vazhdim ka vetëm një hall: si ta bëjë Ramën Kryeministër. E them këtë shumë qetë, Edi Rama do të jetë Kryeministër nëse PS fiton zgjedhjet dhe kjo nuk diskutohet, është kryetari i partisë. Por ky nuk mund të jetë i vetmi qëllim. Ky po kthehet në një hall. Ne nuk e kemi hall si ta bëjmë Ramën Kryeministër. Kjo është pasojë e ardhjes së PS-së në pushtet. Nëse PS vjen në pushtet në mënyrë të merituar, Rama bëhet Kryeministër në mënyrë të merituar. Kjo nuk është arsye për të ardhur në pushtet. Arsyeja është që Shqipëria të qeveriset me meritë, të jetë një vend që të qeveriset më mirë

Për Bamir Topin

Unë jam zënë me Topallin për Bamir Topin në prani të Bamir Topit. E dini ju çfarë mendon Topi për Gërdecin? Jo. Çfarë mendon për 21 janarin, që është ngjarje në bulevard? Jo, është vrasje në bulevard. Ky nuk është qëndrimi i një Presidenti. E dini ju çfarë mendon për zgjedhjet e 2009-s dhe 8 majin? Jo. Ky njeri u ka munguar datave kulmore të mandatit të tij, ka qenë gjithmonë në pozicion jashtë loje.

Për Leka Zogun

Unë i shpreh ngushëllime familjes. Nderimet që po i bëhen Leka Zogut janë kryesisht për shkaqe të merituara, besoj, kryesisht për shkak të emrit të familjes së të atit, një figurë të cilën ndoshta historia akoma nuk i ka dhënë emrin që i takon, kontroverse në disa raste, por një nga shtetarët, ose ndoshta shtetari më i mirë që ka pasur Shqipëria që nga viti 1912. E thashë kontroverse me shumë dritëhije, që i ka vuajtur edhe i biri për sa kohë ishte gjallë kur u kthye. Në një kthim spektakolar në 1997-n. Ata që sot e nderojnë e kanë pështyrë në vitin 1997, por nëse do të hapim një temë më të gjerë, që është raporti shqiptar me monarkinë, ky është një moment i kapërcyer. Është tjetër gjë të nderosh historinë, personazhet e saj, një familje të madhe shqiptare, atdhetare, pa dyshim. Këtu fillojnë pëlqimet apo mospëlqimet për regjimin.

Për 21 janarin

Duke folur mbi çështjen e 21 janarit, Blushi komentoi: Kam qenë edhe në Shkodër, rastësisht, në dy prill 1991. 21 janari ishte shumë më keq, më i dhimbshëm dhe më i frikshëm. Nëse ka diçka që nuk diskutohet dhe e kanë parë live është që dihet se kush i ka vrarë. Eshtë Sali Berisha që vrau katër shqiptarë, që kërkonin një rrugë për të dalë nga varfëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›