E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, ekzekutohet me 6 plumba babai i 2 fëmijëve në Fier

FIER- Tronditet Fieri. Një 45-vjeçar u ekzekutua me 6 plumba pistolete silenciator në një lokal të këtij qyteti. Lulëzim Heqimi, baba i dy fëmijëve, ishte duke pirë kafe, kur një person ende i paidentifikuar e ka qëlluar atë për vdekje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:10, në lagjen "Liri Gero". Mësohet se viktima kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Pas vrasjes, blutë kanë shoqëruar 5 persona (klientë), të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Dyshohet se 45-vjeçari mund të jetë vrarë për hakmarrje, por nuk përjashtohet mundësia që ai mund të jetë ekzekutuar për trafiqe apo pas një sherri të çastit. Me vrasjen e Lulëzimit, djemtë e familjes Heqimi janë përgjysmuar. Në vitin 1998 është ekzekutuar Arben Heqimi, i njohur si një nga kapot e trafikut të drogës në Fier. Ndërsa në vitin 2005, është vrarë vëllai tjetër, Rivelino Heqimi, i cili pohohet të kishte bërë vrasje. 

NGJARJA
Në orët e mbrëmjes së ditës së martë , Lulëzim Heqimi është ulur për të pirë kafe në ambientet e jashtme të një lokali që ndodhet pranë banesës së tij, në Unazën e re "Skënderbeu" të qytetit të Fierit. Ai kishte porositur kafe dhe një shishe ujë, kur i është afruar një person dhe e ka qëlluar 6 herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas policisë lokale, 45vjeçari ka marrë plumba në qafë, krah dhe brinjë (në anën e djathtë të trupit). Më pas autori i krimit është larguar në ngushticat mes pallateve. Klientët e tjerë të lokalit kanë shtangur nga tmerri kur kanë vënë re Heqimin të mbuluar nga gjaku. Viktima është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Fierit, dhe më pas familjarët kanë tërhequr trupin e pajetë të babait të dy fëmijëve. Menjëherë është sinjalizuar policia, e cila ka mbërritur shpejt në vendngjarje.

HETIMI
Pas mbërritjes në vendngjarje, policia ka shoqëruar 5 klientë të lokalit. Kjo, për faktin se 30 minuta para vrasjes, deklarohet se Lulëzim Heqimi është grindur ashpër dhe sharë rëndë me një person. Mësohet se personat e shoqëruar kanë dhënë deklarimet e tyre në lidhje me këtë të fundit. Ndërkaq, grupi hetimor po heton në disa pista për zbardhjen e ngjarjes. Pista kryesore, është ajo e hakmarrjes e që lidhet me vrasjen e dy vëllezërve të tjerë të Lulëzim Heqimit. Por nuk përjashtohet mundësia që 45-vjeçari të jetë vrarë për shkak të përfshirjes në trafikun e drogës, apo dhe pas një sherri të çastit. 

VELLEZERIT HEQIMI
Familja Heqimi ka humbur katër djem. Në vitin 1998 u vra Arben Heqimi. Mësohet se në vitet e para të '90ës, ai kishte vrarë një shokun e tij më thikë dhe më pas ishte larguar drejt tokës helene për t'i shpëtuar ndonjë hakmarrjeje të mundshme, por edhe drejtësisë. Arbeni është kthyer në Shqipëri gjatë trazirave të '97-ës, ndërsa u ekzekutua një vit më vonë. Policia nuk ka dhënë asnjëherë një version zyrtar në lidhje me këtë vrasje. Më 13 qershor të vitit 2005 u ekzekutua pak ditë pas daljes nga burgu në një parking, 30-vjeçari Rivelino Heqimi (u përfol se vrasja ishte bërë nga vrasës me pagesë). Pohohet se Rivelino, më 25 prill të vitit 1994 kishte vrarë me thikë Bledar Brahimin. Ndërsa një djalë i familjes Heqimi ka vdekur nga shkaqe natyrore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›