E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmerret Nano: Vetëofrohem si kryetar i PS- së, të largohet Rama

Tiranë- Ish- kryeministri Fatos Nano është treguar i gatshëm të marrë kreun e Partisë Socialiste për ta çuar atë drejt fitores, pasi sipas tij kreu aktual po shkakton vetëm humbje.

Nëpërmjet një letre të hapur drejtuar deputetëve të PS- sëpër ai është vetëofruar si kryetar i saj, pasi sipas tij betejën presidenciale e humbi Rama dhe opozita.

Unë tashmë u vetëofrohem të gjithë socialistëve dhe popullit opozitar që së bashku të marrim fatet e Partisë Socialiste dhe të Shqipërisë në duart tona e të mos lejojmë më që humbjet e parreshtura të socialistëve të kthehen në humbje për Shqipërinë, nëpërkëmbja e socialistëve të kthehet në nëpërkëmbje për Shqipërinë, kriza e Edi Ramës të qëndrojë si kërcënim e ndëshkim krizash për Shqipërinë. Unë shpreh e ritheksoj edhe njëherë mirëbesimin tim, e i bëj thirrje Partisë Socialiste, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të PS që në këto momente kaq të rëndësishme për fatet e Shqipërisë të bëhen dalëzotsa, të rigjejnë dinjitetin, të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur. Ngrihuni përtej limbos së Kryetarit aktual Edi Rama, dhe bëjeni Partinë Socialiste dhe Shqipërinë fituese me Fatos Nanon. Të bëhemi bashkë që të fitojmë bashkë!- thotë Nano.

Më tej ai është shprehur se Rama po punon për të plotësuar interesat e tij personale dhe jo ato partiake. Ai thotë se ndarja mes tij dhe PS- së vjen vetëm nga Edi rama, i cili njeh vetëm humbje.

Të dashur miq socialistë! U bënë vite tashmë që Edi Rama nuk përfaqëson më socialistët apo interesat e tyre. U bënë vite tashmë që Edi Rama përfaqëson vetëm një klan uzurpator e pervers humbarakësh e frikacakësh që u ka shkaktuar socialistëve vetëm humbje, dhembje e nëpërkëmbje, sikurse e ka zhytur Shqipërinë në kriza të njëpasnjëshme. Edi Rama është mbjellësi i krizave, urrejtjes dhe humbjes. Edi Rama nuk e ka më mundësinë që të jetë Përfaqësuesi, Zëri e aq më pak Lideri i Socialistëve.- vijon Nano.

Gjithashtu Nano e ka cilësur zgjedhjen e presidentit si një pazar të Ramës, si në darkat me Metën ashtu edhe në tryezat me kryeministrin Berisha.

Edi Rama në darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën ka këmbëngulur vetëm tek një Pazar i ndyrë: Kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet. Qeveria e përdori Edi Ramën kundër Fatos Nanos, dhe Edi Rama ia plotësoi dëshirën Qeverisë. Sot President është zgjedhur Ministri i Brendshëm i Berishës, ndërsa Fatos Nano dhe socialistët kanë humbur, për shkak të Edi Ramës. Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën sepse me një pjesë të Qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej Qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për tu bërë Kryeministër. E tallën dhe e lanë me gisht në gojë këtë humbarak pervers dhe liganak – thekson më tej Nano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›