E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi Inspektimi ne perputhje me Kushtetuten dhe ligjin per prokurorine

Ministria e Drejtesisë reagoi pas qëndrimit që mbajti Prokuroria e Përgjithshme ndaj inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, pas të cilit ministri Halimi shprehu shqetësim për dënimit me vetëm dy vjet burg të shtetasit Kostandin Xhuvani, ndonëse djali i deputetës socialiste, Luiza Xhuvani, ka kryer një vrasje.

Prokuroria akuzoi Ministrinë e Drejtësisë për ndërhyrje të rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe për presion të hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim.

Por në reagimin e saj Ministria e Drejtësisë sjell në vëmendje se në gjëndjen në të cilën ndodhet çështja, ku prokurori nuk e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë, nuk e ndryshon dot fatin e politikës penale të ndjekur. Në njoftim sqarohet se Ministria e Drejtesisë, ka shprehur shqetësimin në lidhje me politikën penale të dënimit me 2 vjet burgim në rastin e marrjes se jetës së një qytetari me armë zjarri, duke u bashkuar me opinionin publik se kjo politikë penale është e papranueshme dhe bie ndesh me kërkesat e një shteti ku sundon ligji dhe drejtësia.

Ministria e drejtësisë hedh poshtë dhe pretendimet e organit të akuzës për inspektime të paligjshme, kur bën me dije se ka ushtruar detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 56 i ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë", duke informuar Presidentin e Republikes dhe Prokurorinë e Përgjithshme mbi rezultatin e inspektimit të prokurorisë në çështjen penale në fjalë.

Ndërsa më tej thekson se inspektimi është kryer në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe ligjin për prokurorinë. Në këtë ligj thuhet se “Ministri i Drejtësisë kontrollon ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve për çështje për të cilat kanë përfunduar hetimet paraprake” dhe hetimet paraprake për këtë rastin në fjalë kanë perfunduar rreth 5 muaj me pare. Po ashtu, sipas këtij ligji, thekson dikasteri i kryesuar nga Eduard Halimi se është detyrë e Ministrisë së Drejtësisë “të inspektojë ecurinë e politikës penale dhe politikës së dënimit të ndjekur nga Prokuroria”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›