E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja Lazri: Mehmet Elezi në Hilton me xhaketën varur si bari

TIRANE- Familja e Sofokli Lazrit, një prej pushtetarëve të nomenklaturës së Enver Hoxhës, reagon mbi rrëfimin e Mehmet Elezit, ishkryeredaktorit të ZP, për atin e tyre. Sipas Elezit, Sofokli Lazri ishte një njeri me shkollim copë-copë, që s'njihte Gjeografinë e Shqipërisë, e për më tepër u vidhte dietat grupeve që shkonin jashtë shtetit. Poshtë po botojmë të plotë reagimin e familjes Lazri.

LETRA
Nuk e dimë nëse Sofokli Lazri, po të ishte gjallë, do t'i ishte përgjigjur Mehmet Elezit, kur flet për të në një fragment të librit të tij. Nuk dimë as se çfarë komenti do të bënte, as se si do të shprehej. Ka shumë gjasa që ta kalonte në heshtje, qëndrim që mbajti deri sa jetoi. Nuk iu përgjigj asnjë të thëne a të pathëne, asnjë të pavërtete a gjysmë të vërtete, asnjë sulmi, asnjë shtrembërimi. Mehmet Elezin e kemi njohur personalisht në vitin 1979, në Aeroportin e Rinasit, kur u përcoll dërgata prej katër vetash për në Iran, po dhe kur u kthye, e më pas në rezidencat ku kalonin së bashku pushimet vetëm zyrtarët më të lartë të nomenklaturës komuniste. Çfarë i ka thënë Lazri Elezit në Teheran nuk e morëm vesh as atëherë, nuk e dimë as tani. Ndoshta dy anëtarët e tjerë të delegacionit mund të kujtojnë diçka. Nga Sofokli Lazri, në atë kohë, ne dhe miqtë e tij të ngushtë, pjesa më e madhe e të cilëve janë akoma gjallë, kemi dëgjuar të na tregonte se si e porosiste ai Mehmet Elezin në Hotel Hilton, që xhaketa, kur je në një restorant luksoz, nuk mbahet e hedhur krahëve: "Në Vuno, kështu e mbajnë vetëm çobanët", përfundonte. Po ashtu, na përshkruante se si Mehmet Elezit i binte piruni mbi pjatat e mëdha prej porcelani të vyer të Hiltonit, duke kumbuar në qetësinë religjioze të sallës së madhe të bukës, lyer me të kaltër e ku delegacionet nga i gjithë rruzulli kthenin kokën drejt tavolinës së dërgatës së Enver Hoxhës tek Ajatollah Khomeini. Që Mehmet Elezi ka një brengë të madhe personale ndaj Sofokli Lazrit e që "nuk i del e keqja", e kupton edhe një fëmijë. U bënë 20 vjet që i kthehet e i rikthehet këtij njeriu, në të gjallë e në të vdekur. Këtë furi e këtë mllef nuk e justifikon as ndryshimi i madh kulturor mes të dyve, as pretendimi për bllokim të karrierës së Mehmet Elezit kur Partinë e Punës e udhëhiqte Ramiz Alia, as dëshira për ndonjë vend pune sot, por as edhe antikultura e përbaltjes dhe brumosja prej komunisti oltrancist, nga i cili buron formimi botëkuptimor i Mehmet Elezit. Fakti që Sofokli Lazri e ka shpotitur pikërisht tek mungesa e qytetërimit, mund të jetë e vetmja kallo, dhimbja e së cilës nuk po i del për tërë jetën. Nuk na takon neve të futemi në marrëdhëniet mes një shefi me njërin nga vartësit, siç nuk na takon të flasim për kontributet progresiste të Sofokli Lazrit brenda Partisë së Punës dhe shtetit shqiptar të asaj kohe. Edhe pse Mehmet Elezi fyen dhe shpif mbi figurën dhe kujtimin e Sofokli Lazrit, nuk kemi ndërmend të përpiqemi të zbulojmë nëpërmjet ditarëve të të ndjerit, misterin se çfarë shërbimesh i kishte bërë regjimit Mehmet Elezi, kur në vitin 1981 Enver Hoxha e përzgjodhi personalisht si kryeredaktor të Zërit të Popullit në moshë fare të re (rast i paprecedent që pas vitit 1944). Me këtë detyrë Mehmet Elezi do të ishte i pranishëm në të gjitha mbledhjet e Byrosë Politike, në vigjilje të periudhës kur Enver Hoxha do të fillonte spastrimet e fundit ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Por, kur lexojmë pretendimet e Mehmet Elezit për kontributet e veta në demokracinë shqiptare dhe për përpjekjet e tij kundër komunizmit në javët e fundit të ekzistencës së regjimit, nuk mund të mos kujtojmë kopertinat e revistave të shumë viteve më parë kur një i quajtur Mehmet Elezi, (ndofta homonimi) kishte rendur të zinte vendin e vëllait tek piramida në kufi, në mënyrë që asnjë këmbë shqiptari të mos shkelte në tokën e mallkuar revizioniste. Po ashtu nuk arritëm të kuptonim, as nëpërmjet ditarëve të Sofo Lazrit, përse dhjetë vite më pas, ky "disident" me tagrin e udhëheqësit komunist lokal urdhëroi ndërprerjen e energjisë për mikrofonin e Azem Hajdarit, kur ky i fundit mbante fjalimin e parë në Elbasan kundër komunizmit. Së fundmi, nga leximi i fragmentit të librit në fjalë, na del një pyetje: përse Sofokli Lazri duhet të bëhej agjent i KGB-së? Duke qenë se ishte biri i një shtetasi amerikan, a nuk do të tingëllonte më spontan trillimi i Elezit po ta lidhte me CIA-n, e cila të paskësh rekrutuar më parë të atin e ky mandej, kur u riatdhesua në vitin 1963, të rekrutonte të birin? Do të ishte akoma më rrëqethëse dhe më trendi sikur Mehmet Elezi të pretendonte që Sofokli Lazri, duke qenë edhe nga Vunoi, të ishte vënë në shërbim të lobit grek të CIA-s. Por, mesa duket, në çështjet e spiunazhit, fantazia e Elezit shkon deri te libri "Titistët". Sa për shkollën e mesme "copa-copa", kujtojmë se me rastin e 75 vjetorit të Gjimnazit të Tiranës, sot gjimnazi "Qemal Stafa", na erdhi një ftesë, pasi emri i Sofokli Lazrit figuronte mes nxënësve më të mirë të maturës të vitit 1942, ndërsa në data-base-n e të diplomuarve për gazetari në vitin 1956 të Universitetit LOMONOSOV të Moskës, gjendet emri i Sofokli Lazrit. Ndoshta, për Mehmet Elezin ai universitet, nga më të njohurit edhe sot në botë, mund të ketë nivelin e një shkolle partie dhe se Universiteti i Tiranës, ku dhe është diplomuar vetë zotëria në fjalë, qëndron shumë më lart. Por ja që në këtë Universitet, Lazri ka themeluar katedrën e gazetarisë dhe ka dhënë lëndën e Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare për dekada me radhë. Kësisoj, i bie që Lazri të ketë qenë gjeni, sepse ndonëse me arsim inferior e dogmatik, të ketë nxjerrë nxënës kaq të mençur e kaq të ndriçuar si Mehmet Elezi. Edhe kjo mund të jetë një arsye për mllefe të pashërueshme, por obsesioni 'furibond quasi' patologjik i Mehmet Elezit ndaj Sofokli Lazrit nuk shpjegohet dot as me këtë. Mos ndofta shpjegohet që, me gjithë përshkrimet a la Baron MÜNCHAUSEN mbi betejat e tij prej disidenti, me gjithë pritat e Sigurimit të Shtetit për ta vrarë në Qafë Kërrabë, kjo mendje e ndritur, e pakuptuar nga Ramiz Alia dhe e luftuar nga Sofokli Lazri, gjatë këtyre 20 vjetëve demokraci u shpërblye vetëm me ofiqe të rangut të ulët dhe nuk arriti kurrë në nivele të barazvlefshme me ato të karrierës së tij periudhës së komunizmit?
Familja LAZRI
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›