Halimi: Shqipëria, vend lider në rajon për reformat në drejtësi

Në analizën vjetore të dikasterit të drejtësisë, shpallen objektivat për vitin 2013-01-12
- Reformë në Sistemin Gjyqësor, me fokus statusin e gjyqtarëve, për rishikimin dhe përmirësimin e pagave të tyre sipas modeleve të BE-së;
- Reformë në Avokaturën e Shtetit, duke e shtrirë Avokaturën e Shtetit dhe drejtoritë juridike nëpër Ministri në një të vetme, të quajtur “Shërbimi Juridik i shtetit”
-Reforma në Sistemin e Burgjeve për privatizimin e shërbimit të transportit për të dënuarit me rrezikshmëri të ulët dhe për Ndërtimin e burgjeve tërësisht private të sigurisë së ulët sipas modelit USA, e cila ka në fokus uljen e shpenzimeve dhe trajtimit të të dënuarve nëpërmjet punësimit në sektorin privat.
Shqipëria është një nga vendet lider në rajon për reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, deklaroi ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë analizës për punën e bërë nga dikasteri i tij gjatë vitit 2012, vit ky që përkoi me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Reformat e bëra në këtë 100 vjetor kanë bërë që Shqipëria të jetë një nga vendet lider ne rajon për pjesën e reformimit të aktorëve të sistemit të drejtësisë, tha ministri Halimi, duke shprehur kënaqësinë për realizimet dhe premtimet e mbajtura.
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi gjatë analizës vjetore të vitit 2012, ndërsa e ka vënë theksin te realizimi reformave gjatë këtij viti, nga ana tjetër ka parashtruar prioritete për vitin 2013.
Sipas Ministrit çdo muaj janë lançuar dhe realizuar, reforma që kanë shkuar si investim në sistemin e drejtësisë.
“Gjatë vitit janë lançuar rreth 35 arritje që përbëjnë fazën e hartimit dhe implementimit të tyre, duke prekur çdo pjesë të mozaikut të sistemit të drejtësisë. Çdo muaj të vitit 2012 është lançuar në publik dhe media, jo me pak se një reformë e sistemit të drejtësisë. Thelbi i tyre ka qenë dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë, me fokus përmirësimin e sistemit dhe shërbimeve, rritjen e transparencës, rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë dhe reduktimin e korrupsionit”, tha ministri Halimi.
Ministri i Drejtësisë ka vlerësuar se pas një viti ky institucion mbajti premtimet e tij, ku falë edhe mbështetjes ndërkombëtare realizoi me sukses dhe të katër reformat, pjesë e 12 kushteve të BE. Ministri shprehu më tej keqardhjen e tij për qëndrimin e opozitës e cila nuk votoi projektligjin Për gjykatën e lartë, që sipas tij po mban peng në këtë mënyrë edhe gjykatën administrative.
Më pas Halimi bëri një përmbledhje të të gjitha reformave të ndërmarra, ku veçoi më së shumti ligjin për pasurinë e paluajtshme, si një nga reformat më të qenësishme të sistemit të drejtësisë, “e cila shkëputi kontaktin e qytetarit me zyrtarin, duke këputur fillin e korrupsionit”.
Reformat më të rëndësishme të realizuara gjatë vitit 2012 janë reforma në ZRPP, reforma në Noteri, reforma në dixhitalizimin e gjyqësorit, ajo e Përmbarimit, Monitorimit Elektronik të të dënuarve si dhe rishpërndarja e gjyqtarëve dhe Gjykata Administrative
Ministri prezantoi para medias edhe prioritet e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2013 në të cilat veçoi si më prioritare: reformën në Sistemin Gjyqësor, me fokus statusin e gjyqtarëve, për rishikimin dhe përmirësimin e pagave të tyre sipas modeleve të BE-së; reformën në Avokaturën e Shtetit, duke e shtrirë Avokaturën e Shtetit dhe drejtoritë juridike nëpër Ministri në një të vetme, të quajtur “Shërbimi Juridik i shtetit” faza e dytë e reformës, si dhe reformën në Sistemin e Burgjeve për privatizimin e shërbimit të transportit për të dënuarit me rrezikshmëri të ulët dhe për Ndërtimin e burgjeve tërësisht private të sigurisë së ulët sipas modelit USA, e cila ka në fokus uljen e shpenzimeve dhe trajtimit të të dënuarve nëpërmjet punësimit në sektorin privat.