Rama, gjithë jetën duke fshehur jetën e tij

- Sulmet që bëhen me papagallin Balla, s’mund të mbulojnë arratisjen e tij. Ai po fsheh pushimet, siç po fsheh pasurinë, me imitimin e modelit hipokrit të diktaturës, për një varfëri të barabartë.
- Kjo jetë klandestine u jep të drejtë hamendjeve të opinionit publik se ai fshihet sepse shkon për t’u dezintoksikuar, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve të tjera mjekësore, apo për ndonjë terapi psikike
- Ka ligje për transparencën e liderëve, jo vetëm të detyruar nga morali, por një kryetar opozite që s’pranon këto ligjësi, është i destinuar të mos marrë asnjëherë përgjegjësi shtetërore
Prej më shumë se dy javësh, Edi Rama s’ndodhet në Shqipëri, dhe për ecejaket e tij nëpër botë, s’ka asnjë informacion zyrtar nga selia e PS. Përveç përpjekjes për ta mbushur boshllëkun me një konferencë-cicërimë në tuiter, ai po vazhdon traditën historike të fshehjes së jetës së tij, siç ka bërë qëkur është shpallur adut. Ai fsheh aktivitetin e tij në ekipin e basketbollit “Dinamo”, fsheh aktivitetin si pedagog e piktor në Akademinë e Arteve, fsheh praninë e tij në Greqi, në dhjetor të 1990, fsheh arsyet e divorcit të parë, në vitin 1991, fsheh arsyet e ndarjes me 3-4 partneret e tij pasuese, fsheh jetën e tij në Francë, pas vitit 2000 shndërroi në bunker Bashkinë e Tiranës që t’fshihte publikut hyneret që ndodhnin aty e prej 2005-s, i njëjti bunkerizim mbretëron në PS. Edi Rama ka dy javë që nxjerr papagallin Balla, jo veç për të zhurmuar denoncimin për pallatin dhe 100 milionët e gruas, por së pari për të larguar vëmendjen nga arratisja e tij e radhës nga Shqipëria. Në demokraci ka ligje për transparencën e liderëve, ligje që s’burojnë veç nga morali. Edi Rama është lider i opozitës dhe kandidat për kryeministër, prandaj edhe është një detyrim ligjor i shtetit shqiptar të ruajë këtë aset të politikës. Por shteti s’ka mundësi të kryejë detyrën e vet, pasi Edi Rama s’pranon të luajë rolin e politikanit e të burrit të shtetit. Ai vijon të fshihet nga jeta e tij, por prej 7 vjetësh, në këtë fshehje antishtetërore, ai ka bërë bashkëfajtore edhe Partinë Socialiste. Ajo po konsumon këto kohë, turpin e saj më të madh, teksa po pranon këtë klandestinitet të kryetarit. Një parti që ka qeverisur 8 vjet në pluralizëm, që ka në radhët e veta plot ish-kryeministra e ish-ministra, është katandisur në një formacion politik të kapluar nga inferioriteti dhe mungesa e dinjitetit.
Edi Rama s’e ka për herë të parë që përpiqet të fshehë udhëtimet e tij në Francë, Çeki, Rusi a Kubë. Këto udhëtime janë të gjitha incognito, sepse resortet turistike s’mund të justifikohen me modelin e barazisë e të varfërisë, të cilën me hipokrizi të pashoqe mundohet të imitojë nipi i Spiro Kolekës. Modeli i veç 3 mijë eurove kursime ndjek shumë modelin e “modestisë” që injektoi diktatori, me “një brisk që përdorej për 40 rruajtje” apo me “mbledhjen e thërrmijave të bukës në tavolinë”. Por pallati dhe 100 milionë lekët e nxorën gafil modelin e të varfrit...ashtu si klandestiniteti i udhëtimeve e nxjerr të papërshtatshëm modelin e Edi Ramës “kryeministër e burrë shteti”. Ku është Rama tani? Pse nuk ka komunikatë zyrtare? Pse vijon të fshihet jeta e tij private, si dikur kur s’përbënte fort interes publik marrëdhëniet e tij të dhunshme me partnerët, apo më vonë bashkëjetesa e tij në Pezë me të birin e Myslym Pezës. Opinionit publik tani po i imponohet statuja e një kryetari opozite që kërkon pushtetin, prandaj edhe skema e fshehjes së përjetshme të jetës së tij s’mund të pijë më ujë. Ku është tani Edi Rama? Përderisa s’do të ketë përgjigje, atëherë opinioni do të jetë i lirë të bëjë deduksionet e veta, se ai ikën klandestin për t’u dezintoksikuar, për ndonjë operacion mjekësor që mbahet i fshehtë apo për ndonjë terapi psikike. Përderisa klandestiniteti do të vazhdojë, është ky Ramë i deduksionit të opinionit publik që do mbizotërojë në memorien e shqiptarëve, prandaj le të presë nipi i Spiro Kolekës deri më 24 qershor, kur do të mund të arratiset kur të dojë e për sa kohë të dojë.