Halimi kërkon shkarkimin e pezullimin e 18 gjyqtarëve për shkak të shkeljeve
Rreth 18 gjyqtarë kanë kryer shkelje të rënda në dhënien e vendimeve, kjo sipas, një inspektimi të ministrisë së Drejtësisë në 60 % të gjykatave në vend.
Kreu i këtij dikasteri, Eduard Halimi, deklaron për “AS” se i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë këtë vit, kërkesë për shkarkimin e 7 prej tyre dhe procedimin e 11 të tjerëve.
“Kemi kontrolluar dhe kemi çuar për procedim gjyqtarë që kanë patur të bëjnë me dhënien e vendimeve duke qenë jashtë procedurave të tyre përsa i përket etikës. Janë 3 gjyqtarë, të cilët janë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për çështje të dështimit të ekstradimeve. Janë raste të gjyqtarëve, të cilët kanë kryer shkelje të rënda proceduriale në fushën civile në dëm të sistemit bankar, duke pezulluar kreditë e këqija, pra duke pezulluar ekzekutimin e kolateraleve, mos gaboj janë 4 gjyqtarë”, deklaron Halimi.
Shkelje jo të vogla, gjatë inspektimit, ministria ka vërejtur dhe në Prokurori, të dokumentuara në një raport që pritet t’i dorëzohet Kuvendit këto ditë.
Halimi sqaron dhe arsyet e rishpërndarjes përbrenda dhjetorit të gjyqtarëve si dhe gjykatat kryesore që do preken nga ky ndryshim.
“Në dhjetor besoj se do të kemi një fizionomi të re për çdo gjykatë. Gjykata e Tiranës, ajo e Durrësit, ajo e Elbasanit, të cilat janë gjykata që përballojnë një ngarkesë të madhe, duhet të kemi një shtim të numrit të gjyqtarëve. Gjykatatat e tjera që kanë më pak punë, do të kenë reduktim të numrit të gjykatësve”, u shpreh ministri i Drejtësisë.
Ndërsa 3 prej ligjeve të hartuara nga ministria që drejton janë kusht i Brukselit për marrjen përfundimtare të statusit, Halimi shprehte skeptik për votat e opozitës brënda nëntorit.
“Nuk kamë marrë asnjë sinjal dhe nuk shoh asnjë sinjal nga ana e tyre, por të dyja palët duhet të ecin bashkë, ne aktualisht po ecim vetëm. Jemi të vetëm në këtë rrugë të gjatë e të vështirë”, deklaroi Halimi.
Ministria e Drejtësisë ka përgatitur dhe do të dorëzojë në Kuvend brenda vitit, të tjera ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, konkretisht ligje që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve kushtetuese.