Halit Stojku: Gjendja e tij shëndetësore është e normalizuar, nuk ka qenë në spital
Shëndeti i Kryeministrit të vendit nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, megjithëse ai kaloi një gjendje lipotemie mbrëmjen e së hënës, gjatë festës së 21-vjetorit të Partisë Demokratike. Konfirmimi jepet nga mjekët e Klinikës Qeveritare, të cilat kanë ndjekur nga afër gjendjen shëndetësore të kreut të qeverisë, ndërsa bëjnë të ditur se shëndeti i tij është në parametra normalë, si dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të tyre. Drejtori i Klinikës Qeveritare, Halit Stojku deklaron për gazetën se shëndeti i Kryeministrit nuk ka asgjë serioze dhe se ai ka pësuar thjesht një ulje tensioni për shkak të lodhjes dhe mungesës së ajrit në ambientet e Pallatit të Kongreseve, që ishte i mbipopulluar me njerëz. “S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Po e ndjekim vetëm ne mjekët e Klinikës Qeveritare. Ia kemi bërë të gjitha ekzaminimet dhe çdo gjë rezultoi në parametra normalë. Ai ishte pak i lodhur, gjendej në një mjedis të mbipopulluar dhe për shkak të mungesës së ajrit kaloi një gjendje lipotemie, iu ul tensioni, por pasi doli jashtë u kthye shumë shpjet në normalitet”, - pohon Stojku. Ndërkaq, ai mohon të gjitha informacionet e tjera jozyrtare që kanë qarkulluar në media, duke filluar që nga mbrëmja e së hënës, se Kryeministri është paraqitur për ndihmë mjekësore pranë Spitalit Amerikan. “Nuk ka qenë te Spitali Amerikan dhe nuk ka kryer asnjë lloj ndërhyrjeje. Të gjitha këto janë absolutisht të pavërteta. Gjendja e tij shëndetësore është e normalizuar, madje ai ka shkuar edhe në punë tani”, - ka deklaruar mesditën e djeshme për gazetën Halit Stojku. Klinika Qeveritare është një institucion shëndetësor që ofron shërbime vetëm për të personalitetet e larta shtetërore, si dhe njerëzit e cilësuar si pacientë VIP. Në këtë klinikë shërben një staf i kualifikuar prej 21 personash, ku përfshihen mjekë të specialiteteve të ndryshme dhe infermierë. Ndërkohë që në këtë klinikë ofrojnë shërbim edhe mjekët më të mirë nga spitalet e tjera, të cilët thirren për të dhënë ndihmën e tyre sa herë që është e nevojshme.
Përveç mjekëve të Klinikës Qeveritare, nga burime të tjera mësohet se e gjitha ndihma shëndetësore që kreu i qeverisë ka marrë që pas gjendjes së lipotemisë, i është ofruar nga specialistët më të mirë të vendit pranë banesës së tij që gjendet në rrugën “Mustafa Matohiti”. Mjekët që i kanë dhënë atij ndihmën e parë, të cilët për fat të mirë kanë qenë të pranishëm edhe në ceremoninë e 21-vjetorit të themelimit të PD-së, kanë qenë neurologu i njohur Mentor Petrela, si dhe nefrologu Nestor Thereska. Ky i fundit, i kontaktuar nga gazeta ka bërë të ditur se ka qenë pranë tij në momentet e debolesës, por nuk e ka ndjekur nga afër gjatë natës gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkaq, mësohet se pranë Kryeministrit, nën cilësinë e mjekut ka qenë edhe një nga deputetët e PD-së, Tritan Shehu. Mjekët shpjegojnë se gjendja e lipotemisë shkaktohet nga rënia e tensionit, duke bërë që truri të mos furnizohet normalisht me gjak. Sipas tyre, kjo gjendje mund të vijë edhe për shkak të mosfunksionimit të zemrës, nga mbilodhja, nga pagjumësia, por dhe nga një gjendje emocionale.