Berisha i rikthehet punës, Topalli e Basha e vizitojnë në Kryeministri
TIRANË Për shkak të gjendjes shëndetësore, kryeministri Sali Berisha anuloi vizitën e tij zyrtare në Mal të Zi, megjithatë ai nuk iu shmang angazhimit të përditshëm të punës në Kryeministri. Ndryshe nga herët e tjera, Berisha ka mbërritur dje në Kryeministri rreth orës 11:45 minuta. Ka qenë më shumë një ditë e qetë, duke anuluar të gjitha takimet e planifikuara. Të parët që kanë zhvilluar takime me kryeministrin pasi ka mbërritur në zyrë, kanë qenë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dy njerëzit që e vizituan të parët edhe dy net më parë në shtëpinë e tij. Në Kryeministri, dje janë parë të hynë e të dalin edhe disa ministra të tjerë, si dhe bashkëpunëtore të afërt të tij. Burime pranë stafit të Kryeministrit njoftuan dje se Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se axhenda e tij do të vijonte normalisht me aktivitetet e planifikuara më parë. Dy ditë më parë, në 21-vjetorin e themelimit të PD-së, kryeministri Sali Berisha u detyrua të ndërpriste fjalimin për shkak të një gjendjeje gjysmë të fikëti. Për pasojë, festimet u ndërprenë ndërsa fjalën e mbylljes e mbajti Topalli, e cila informoi të ftuarit se Berisha kishte kaluar një gjendje viroze të lehtë. Gjithçka më pas u zhvendos drejt shtëpisë së tij, aty ku Berisha pranoi të zhvillonte të gjitha konsultat me mjekë të specializuar. Edhe dje paradite është parë të hyjë një prej bashkëpunëtorëve të tij, mjeku Tritan Shehu. Pas konsultës së radhës, mjekët i kanë rekomanduar Berishës se mund të vijojë aktivitetin e tij, por pa u mbingarkuar.