E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka negociata sekrete me PD, drejt largimit nga koalicioni i majtë

SHKRUAN: Nevila Perndoj 14-12-2011 11:39

PDK pranë rikthimit në koalicionin e djathtë. Bisedimet e Ndokës me figura të rëndësishme të PD-së dhe kushti për të lëvizur vetëm nëse PDK hyn në qeveri në tre muajt e parë të vitit të ri. Takimi i djeshëm me Ramën dhe ndërhyrjet e ndërkombëtarëve

TIRANË Kishte deklaruar se në politikë nuk thuhet asnjëherë ‘kurrë’, kur u pyet nëse do të bashkëpunonte sërish me kryeministrin Berisha. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, mesa duket nuk i referohej thjesht një thënieje të vjetër, por negociatave konkrete që prej kohësh ka pasur dhe ka me përfaqësues të Partisë Demokratike. Edhe pse publikisht është larg në parime dhe qëndrime me PD-në, Nard Ndoka duket se është “thyer” para kontaktimeve të shumta dhe këmbëngulëse që eksponentë të rëndësishëm në PD po i bëjnë prej kohësh. Qëllimi është vetëm një: PDK-ja të jetë pjesë e koalicionit të mazhorancës, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kjo parti të jetë kontribut domethënës përballë rrjedhjes së votave që mund të ndodhin nga e djathta si rezultat i futjes në lojë të Bamir Topit me partinë e re.

Në zgjedhjet e fundit lokale, PDK-ja mori 48 mijë vota, një numër i konsiderueshëm për një parti të rreshtuar në opozitë. Andaj me 3.05% të votave, PDK-ja është kthyer në një parti që tentohet fort nga të dyja partitë e mëdha. Por dhe kërkesat në këtë terren nga PDK-ja pritet të jenë të larta. Siç mësohet, Ndoka kërkon të futet në koalicionin qeverisës me kërkesa konkrete. Burime të mirëbesuara nga PDK e PD deklaruan dje për gazetën MAPO se PDK mund të rishikojë pozicionin e saj ndaj mazhorancës vetëm në rast se ajo do të jetë sërish pjesë e qeverisë, e një kabineti që më shumë gjasë do të ndryshojë tremujorin e parë të vitit që vjen. Premtimi pritet të bëhet konkret, andaj Ndoka mësohet se po lëviz drejt një hapi tjetër të sigurt për t’u afruar me PD-në.

Në anën tjetër, duke qenë në koalicion me PS-në e për t’i paraprirë çdo pakënaqësie, Ndoka mësohet se ka komunikuar për këtë çështje edhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama jo më larg se dje paradite. Një takim, që pavarësisht rrjedhës së bisedës të çon në një rrugë pa kthim, atë të largimit të PDK-së nga koalicioni i opozitës. Vetë Ndoka i pyetur për një kalim në koalicionin e djathtë, as nuk pohoi, por as nuk e mohoi një gjë të tillë.

Aleancat ndërkombëtare

Një arsye tjetër e afrimit të PDK-së me PD-në kanë qenë edhe ndërkombëtarët, më saktë disa parti kristiandemokrate, përfaqësues të të cilave të kontaktuar nga mazhoranca, kanë lobuar jo pak për të ndërhyrë në një zbutje të qëndrimit të kësaj partie drejt PD-së. I sprovuar në politikë, por edhe në formulat matematikore që bëhen me votat, kryeministri Sali Berisha e ka të qartë domosdoshmërinë për të përfshirë në koalicion edhe Ndokën, partia e të cilit shihej si një pikë e fortë në koalicion (jo vetëm nga PS-ja) por edhe nga Bamir Topi. Prej kohësh, flitej për bashkëpunimin e ngushtë që Topi mund të ndërtonte (për shkak edhe të marrëdhënieve pozitive ndër vite) me Nard Ndokën. Andaj, nëse kreu i ekzekutivit do të arrijë të tërheqë drejt vetes pikërisht PDK-në, por pse jo dhe LZHK-në, dy parti të djathta që gëzojnë vota stabël në elektorat, atëherë gjërat do të jenë më të vështira për partinë e mundshme të Topit, që aktualisht shihet si forca që mund t’i prishë më shumë punë mazhorancës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha nuk do ta ketë të vështirë një shtrëngim tjetër duarsh me kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka, sa kohë që këtë e ka bërë me kundërshtarë të fortë politikë ndër vite, e po aq edhe PDK-ja, kur në të shkuarën mes dy partive nuk shënohen rekorde të forta akuzash të ndërsjella.

Ndoka thyen akullin, merr pjesë në festën e PD-së

TIRANË Në 21-vjetorin e themelimit të PD-së, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka theu akullin dhe pranoi ftesën zyrtare drejtuar tij nga selia blu. Si asnjëherë tjetër, qëndrimi i drejtuesve të lartë të PD-së ka qenë i ndryshëm ndaj tij në festën e dy ditëve më parë. Kontakte të shumta, biseda të lirshme e deri diku edhe batuta mes tyre, duke lënë përshtypjen se PDK-ja nuk ishte një parti në opozitë, por në koalicion me mazhorancën. Përfaqësues të PD-së janë përpjekur që të shmangin çdo qejfmbetje me qëllimin e vetëm që negociatat mes dy partive të shkojnë paq. Ndoka është parë të bisedojë dy ditë më parë në festën e PD-së me ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi, me sekretarin organizativ, Flamur Noka, me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta e deputetë të tjerë të pranishëm në ceremoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›