Halli i qytetarëve është bashkia, jo kutia
Përse Rama bojkon mitingun e Vlorës
Zëri i shurdhër i kryebashkiakëve i ka bërë qytetarët të reagojnë këtë muaj me protesta. Protestat paqësore kanë synuar në një drejtim. Rrugët e “Mbretëreshës së turizmit” janë kthyer në një copë Kandahari të vërtetë, mungojnë vetëm talebanët. Banorët e rrugës së re bllokuan qarkullimin sepse rruga e tyre ka dy pamje në mot shiu, baltë dhe llurbë, dhe në mot të thatë pluhur. Pas kësaj ishin banorët e lagjes “Partizani, lagje që u dha fitoren socialistëve në zgjedhjet vendore të dimrit të vitit 2007. Në përgjithësi protesta e tyre përqendrohej tek një fjali. Bashki nëse ke sy shiko udhën tonë. Dhjetëra banorë u thanë mediave të qytetit se kjo është rruga kryesore që del nga qyteti. Në këtë udhë shkojnë makinat për në spitalin rajonal të qytetit. Por në këtë rrugë shkohet edhe për në varrezat e qytetit. Kjo rrugë furnizon të gjitha fshatrat e zonës së lumit të Vlorës, fshatrat e krahinës së Topalltisë dhe ato të zonës naftëmbajtëse të Gorishtit. Vetëm 3 muaj më parë firmat ndërtuese me leje të bashkisë hapën katllavanë për ndërtime buzë kësaj rruge dhe e shkatërruan krejtësisht asfaltin e saj. Në vend të asfaltit tashmë ka mbetur vetëm gropa dhe ujë e baltë në mot shiu dhe pluhur e ndotje në kohë të nxehtë. Banorët u shprehën se është bashkia e qytetit të tyre që duhet të vendosë dorë për ta kthyer rrugën në gjëndje të mëparshme. Protestuesit thanë se Bashkia bën edhe dallime. Zona sipër është e populluar nga të djathtët dhe bashkia nuk ka marrë asnjë masë për ujë e rrugë. Si kjo rrugë, edhe rrugët e tjera të këtij qyteti janë të shqyera e të copëtuara në prag të sezonit turistik. Si kjo gjendje rrallë ka qenë ndonjëherë qyteti i turizmit.
Me gjithë këto probleme, socialistët e këtij qyteti kërkojnë që të protestojnë sipas një vendimi që Edi Rama u dërgon me urgjencë. Aferim, socialista, do t’u themi, por përse do të protestoni, kur halli i mijëra banorëve është bashkia me problemet e shumta të saj? çfarë do t’u kërkoni qytetarëve? A e dinë socialistët se ka zëra që do të jenë vetë militantët e tyre, ata që do t’u kërkojnë hesap për qytetin e tyre, të lënë në prag të sezonit të turizmit, në mëshirë të fatit? Kostumi i ri që po pret bashkia, për nëpunësit e vet, është cohë e vjetëruar, sepse mungon vizioni dhe vullneti për të bërë punë të mira. Madje ka zëra që po thonë se njeriu që gërhet nëpër mediume për protesta - ky quhet Edi.K.Rama - do t’i bëjë bisht kësaj të Vlorës. Nga dy gjëra ka frikë: E para, mungesa e pjesëmarrjes, e dyta; qytetarët do t’i kërkojnë llogari përse është gjymtuar keqazi qyteti dhe ende nuk po bëhen punë të mbara? Përse nuk po rehabilitohen rrugët, përse ka korrupsion, përse vëmendja e bashkisë është shtyrë tek skuadra e futbollit që ka ngrënë miliona dhe endet në ujërat e trubullta të serisë A, si kurrë ndonjëherë kjo skuadër me emër e traditë në futbollin shqiptar? Ka shumë probleme që kanë përgjegjësinë e bashkisë së këtij qyteti. Dhe mes morisë së këtyre problemeve, a ka moral për të protestuar për kutitë e Edit? Kur vetë bashkia, ashtu si bashkia e kryeqyetit, mbeten të plluksuara në llucë, a ka vend për të bërtitur për kutitë? Kjo zbulon edhe qëllimin e Edramistëve që bëjnë zhurmë për të tjerat, për të mos u zbuluar hyneret e veta. A e kanë konceptin e plotë edramistët se çdo të thotë çdo ditë-një protestë përpara dyerve të bashkisë së kryeqytetit dhe të qyteteve për rrugët e prishura, plehrat, mosmarrjen e lejeve të ndërtimi dhe gjithfarë gjërash që kanë zymtuar së fundi bashkitë socialiste?
...