E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Bizantinizmi i Greqisë

Bota shqiptare duhet të pushojë së habituri me arrogancën raciste të manifestuar prej qarqeve më të larta të shtetit grek. Mirazhi që thur politika zyrtare e Shqipërisë është një Greqi kinse mirëdashëse, europiane dhe partnere e denjë ndaj shqiptarëve në rrugën për në BE. Harrohet me apo pa qëllim se është pikërisht kjo Greqi, shteti më jomeritor i BE-së dhe NATO-s që është përgjegjës për përvijimin e një politike të sertë kundërshqiptare. Derisa politikanë shqiptarë zgërdhihen para kamerave me përfaqësues të shtetit grek (siç ishte rasti i vizitës së Karamanlisit dhe temenaja e tërë Kuvendit shqiptar ndaj tij) harrojnë se pikërisht Greqia është përgjegjëse për kolonizimin e Epirit jugor, gjegjësisht pjesës perëndimore të tij - çamërisë dhe rretheve malësore të Janinës, Follorinës dhe Kosturit. është përgjegjëse për asgjësimin, shpërnguljen dhe asimilimin e bashkësive kompakte shqiptare jo vetëm në Epir, por edhe në Maqedoni të Egjeut, Thraki dhe Atikë. Greqia ndaj nesh nuk e ka sall të kaluarën kriminale, por edhe të ardhmen: kategoria themeltare e politikës greke mbetet amshueshmërisht territori, përfitimi dhe zgjerimi i tij ku vazhdimisht nga politika, Kisha dhe Media greke sajohet përmes një procesi postemocionalizimi - një viktimizim i paqenë i ‘kombit grek’. Mbjellet vazhdimisht psikoza e një rrethimi komplotues nga të gjitha anët: nga veriperëndimi - shqiptarët, nga veriu - sllavët dhe nga lindja - Turqia. Duke shfrytëzuar këtë blof viktimizimi dhe kompleks inferioriteti, segmente të politikës greke goxha frytshëm kanë arritur indoktrinimin e shtresave të ndryshme shoqërore greke duke i rekrutuar mendërisht për kryqëzatat e ardhshme pan-helenike ku do të ‘çlirojnë’: Vorio-Epirin, Maqedoninë, Thrakinë dhe Azinë e Vogël.

Këto struktura bizantine, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, gjakojnë që t’i piksin në kokë çdo greku se vetëm ‘Megali Ideja’ do të jetë rehabilitim i ‘nderit të humbur’ grek. Krahas kësaj, edhe Kisha Ortodokse Greke mëton tjetërsimin e etnive të tjera në Ballkan të cilave religjionin ortodoks ua numëron arbitrarisht si kombësi greke. Së këndejmi, Kisha Greke si palca kurrizore e etno-religjionit grek, është kolona e pestë e zgjerimit të shtetit grek në kurriz të fqinjëve. Kisha Greke i përgjigjet tamam asaj Kishe kolonizatore, për të cilën dikur Franc Fanoni thoshte se ‘nuk e fton njeriun e kolonizuar në rrugën e zotit por në rrugën e të Bardhit, në rrugën e zotërisë, në rrugën e shtypësit’. Edhe Kisha Ortodokse Greke nuk e fton grixhën në rrugën e devotshmërisë brenda caqeve religjioze, por synon, transcendimin e këtyre caqeve gjerë në ekspansionizëm politik e territorial. Me sa duket, gjedh i politikës kishtare ose kishës politike greke është figura e Kozma Etolianit (Κοσμάς Αιτωλός/Kosmas Aitolos1714 – 1779) i cili zdërhallej tek bashkësitë shqiptare e vllahe të konfesionit ortodoks, duke blasfemuar përdorimin e shqipes apo vllahishtes nëpër mesha, të cilat i quante gjuhë të djajve, përderisa në shkollat e ngritura nga ai në Thesali, Epir dhe Maqedoni përjashtonte përdorimin e shqipes dhe legalizonte përdorimin e neo-greqishtes bizantine (John S.Koliopoulos&Thanos.M.Veremis). Për ironi, Kozma Etoliani që ishte gjithçka tjetër përveç klerik, është shenjtëruar nga Kisha dhe shteti grek si Hero Kombëtar me 20 prill 1961 kurse 24 gushti kremtohet gjithandej Greqisë si dita e martirizimit të tij. Thelbësisht, Greqia dhe politika e saj e djathtë apo e majtë (që të dyja kanë përqafuar idenë e etno-nacionalizimit) qenëson me frymën bizantine të juntave të kolonelëve ushtarak, me ‘Megali Idenë’ e saj dhe kompleksin e superioritetit historik, racial e kulturor ndaj të tjerëve. Ekzistenca e Tjetrit ose e të Tjerëve nuk njihet ose njihet vetëm në rastet kur shpallet armik.

“Bota sot”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›