E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama kthen statutin e PPSH-së, bolshevikët mposhtin menshevikët

S’është ndalur nga protestat e opinionit publik dhe dje, Edi Rama ka kthyer në PS statusin e PPSH-së, duke vendosur se ai ka gjithmonë të drejtë e se kundërshtarët duhet të mbyllin gojën, në rast se s’duan të përjashtohen. Nën klithjet e bolshevikëve ylberistë, dje janë regjistruar dorëheqjet e përjashtimet e para, megjithatë fshesa politike do të realizohet në kongresin e 18 prillit

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka miratuar dje ndryshimet në statut, të cilat përligjin autokracinë e Edvinit dhe kryqëzimin e mendimit ndryshe në radhët e partisë, si dhe eliminimin e votës së fshehtë në forumet drejtuese të partisë. Duke u bazuar në këtë tezë dhe qëndrim të linjës zyrtare të PS-së, fakti i heqjes së përligjjes së mendimit ndryshe, ka të bëjë edhe me manipulimin e anëtarësisë së thjeshtë socialiste, qëndrimi i të cilëve sigurisht që ka qenë për një parti me frymë të theksuar demokratike dhe liberale.

Mbledhja e djeshme e Asamblesë Kombëtare, i hapi rrugë, përjashtimit të disa anëtarëve të saj në kongres, duke parashikuar edhe zëvendësimin e tyre, por këtë herë, jo duke u votuar, por duke u kooptuar, nga vetë Edvin Rama.

Gjithashtu, po gjatë kësaj mbledhjeje nuk u miratua as i shumëpërfoluri, program politik i kësaj partie. nën pretekstin se anëtarët nuk ishin njohur paraprakisht me draftprojektin për programin, si dhe në mungesë të kohës fizike për diskutime mbi një moment të tillë, Asambleja vendosi që të lërë të hapur dhënien e mendimeve sa i takon programit politik dhe këto mendime të depozitohen pranë grupit të punës për hartimin e këtij programi, me qëllim diskutimin dhe miratimin e tij në një kohë tjetër, pa afat.

Asambleja Socialiste pranoi gjithashtu heqjen e votimit ‘një anëtar, një votë’ për kryetarin e partisë së rrethit, por hodhi poshtë legalizimin e fraksioneve.

Vendimet e djeshme, në bazë të ët cilave, sanksionohen edhe me status se tani e tutje vendos vetëm Edi Rama në parti dhe se nuk lejohen zërat ndryshe, e shndërruan PS-në, në pjellën e saj PP.

Asambleja e PS-së, përgatit përjashtimin e zërave kundër dhe zëvendësimin e tyre

Në diskutimet për draft-projektit për ndryshimet në statutin e PS-së u shtua dje edhe një element tjetër lidhur me përbërjen e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, ai i plotësimit të vendeve bosh.

Duke menduar për zëvendësimin e vendeve bosh, pas edhe paralajmërimeve të Edi Ramës, në fjalimin e tij të djeshëm për përjashtimet e zërave kundër, po merren masat për zëvendësimin e tyre, por këtë herë, jo nëpërmjet një rivotimi të mundshëm, por nëpërmjet kooptimit, pas vendimit që do të marrë vetë kreu i PS-së, për emrat zëvendësues.

Burime nga mbledhja e djeshme e Asamblesë Kombëtare, bënë me dije se gjatë këtyre diskutimeve lidhur me draftin e paraqitur në takim nga grupi i punës për ndryshimet në statut u shtua dhe një tjetër propozim, që lidhej pikërisht me përbërjen Asamblesë. Konkretisht, grupi i punës kishte saktësuar në draftin e tij që kryesisë së PS-së i lind e drejta të kooptojë anëtarët e rinj për vendet e mbetura bosh në Asamble, edhe në rast se personi që do të merrte të drejtën e anëtarësimit, mund të mos kishte kandiduar në kongres.

Duke u ndalur në këtë moment mësohet se Artan Lame, anëtar i këtij forumi, ka propozuar që të jenë pikërisht kandidatët në listën emërore, të cilët nuk arritën të merrnin votat e duhura në kongres për të qenë pjesë e Asamblesë, ata të cilët të plotësojnë vendet vakant të këtij forumi.

Por duket se ky propozim i Artan Lames, nuk ka gjetur mbështetjen e anëtarësisë së Asamblesë, duke e lënë çështje ditësh, të paktën deri në Kongres, zyrtarizimin e përjashtimeve në PS, dhe zëvendësimin e tyre, me emra që plotësojnë shijet e Edi Ramës.

Asambleja u mbyll gojën zërave kundër, eliminon edhe votën e fshehtë

Në fillim të punimeve, Edvini mbajti fjalën e rastit, me nota pesimiste dhe antidemokratike kundrejt qeverisë dhe pushtetit në vend. Përmes imponimeve të dhunshme Rama kërkoi penalizmin e kritikëve ndaj partisë, ndërsa paralajmërimi i tij ishte për nxjerrjen jashtë radhëve të partisë të atyre eksponentëve që dalin jashtë linjës së kryetarit...

Nën këtë frymë ka qenë edhe rrëzimi i propozimeve të deputetit Ben Blushi.

Deputeti i PS-së, Ben Blushi, përfaqësues i mendimit ndryshe brenda radhëve të kësaj partie kërkoi dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, që statuti i ri i kësaj partie të përfshijë dhe oponencën kolektive. Por një propozim i tillë i hedhur për votim, mori mbështetjen e vetëm personave në këtë parti, të përfshirë në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe.

Ndërkohë që duke u ndalur po në ndryshimet në statut, deputeti Blushi kërkoi që draft projekti të mos kalonte për votim në këtë mbledhje, me qëllim që të lihej e hapur dhënia e mendimeve mbi një çështje të tillë. Më pas të ishte kongresi i 18 prillit ai i cili të diskutonte të gjitha propozimet dhe në fund të miratohej me votim të fshehtë. Por dhe një propozim i tillë nuk u mor parasysh nga Anëtarët e Asamblesë kombëtare.

Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, ka reaguar edhe Marko Bello, deputeti tjetër i Lëvizjes për Mendim Ndryshe. Marko Bello u shpreh se Kongresi duhet t’i shqyrtojë edhe njëherë ndryshimet në statut dhe njëherazi të legalizojë edhe fraksionet në parti.

“Në kongres të bëhet votimi i fshehtë dhe anëtarët të vendosin. Pra, nëse anëtarët vendosin në shumicë për këto ndryshime dhe për të tjera sikurse kërkohej dhe nga anëtarë të tjerë të Asamblesë apo të partisë, kjo është demokratike”, tha Bello.

Efektet e para të politikës toksike, Ylli Manjani dorëhiqet nga Komisioni i Ligjeve në PS

Politika e “eliminimit” dhe e “gjymtimit”, të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste ka dhënë efektet e para, teksa një prej anëtarëve të Asamblesë Kombëtare dhe njëherazi një prej kontribuuesve të së majtës shqiptare, Ylli Manjani, ka dhënë dorëheqjen nga kryesimi i Komisionit të Hartimit të Ligjeve në PS. I njohur si një ndër përfaqësuesit e mendimit ndryshe dhe për oponencë të theksuar ndaj kryetarit aktual të selisë rozë, Edi Rama, Manjani është bërë “kurbani” i parë i protektoratit totalitar që tashmë është ngjizur në PS, duke filluar nga dita e sotme.

Pas fjalës së Ramës në Asamble dhe përcjellja e kërcënimeve prej tij, për kundërshtarët në parti dhe ata që bëjnë opozitë ndaj opozitës, Manjani pa të udhës largimin përfundimtar nga një pjesë e rëndësishme e strukturave të selisë ylberiste.

Juristi Manjani është shprehur gjatë komunikimit me mediat, se PS nuk ka më demokraci të brendshme dhe se ka ndryshuar ligjet në parti, pa pyetur më parë, komisionin përkatës, pra atë të Ligjeve.

“PS është në kufi të legjitimiteti dhe nuk pranon mendimet ndryshe. PS nuk respekton më demokracinë e brendshme dhe nuk pranon të bashkëjetojë me ata që mendojnë ndryshe. I jam nënshtruar parimeve profesionale. Nuk mund të jem kryetar i një komisioni partie që shkel ligjin, që miraton ndryshime në statut dhe komisioni nuk pyetet fare”, u shpreh Ylli Manjani, anëtari i Asamblesë kombëtare të PS.

Ndërkaq, kjo lëvizje, pritet të pasohet edhe nga përfaqësues të tjetër të Partisë Socialiste, të njohur për kritikat e tyre në adresë të kryesocialistit në detyrë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›