E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halloween festohet edhe në Prishtinë

Nata e Shtrigave, e cila njihet edhe me emrin Halloween Day ka filluar që të festohet edhe në Prishtinë.

Qysh në orët e para të pasdites nëpër qendër të Prishtinës mund të shikoni shumë fëmijë të veshur me pelerina të shtrigave dhe maskota të ndryshme.

Jam vesh si shtrigani që e kam pa në një film vizatimor, thotë Norë Maksuti, i cili kishte dalë me një numër të madh të shokëve të tij të klasës.

Halloween e ka prejardhjen në kremtimin e ndërrimit të viteve të kalendarit të keltëve, natën midis 31 tetorit dhe 1 nëntorit.

Por për këtë nuk di shumë Nori dhe as shoku i tij Ardi Krasniqi i cili po ashtu kishte dal për të reklamuar kostumin e tij.

Ai kishte veshur një kostum të një karakteri të filmit Saw IV por thotë se nuk e di prejardhjen e kostumit të tij.

Këtë kostum ma ka prerë mami, thotë ai.

Por, nga kur daton Halloween?

Që para 600 vjetësh p.e.s populli Kelt mirëpriste në këtë mënyrë muajt e errëta të dimrit duke u ndarë në të njëjtën kohë nga periudha e lulëzuar e verës. Druidët (lloj besimi) ia përkushtonin këtë natë zotit të tyre të vdekjes Samhain. Gojëdhëna thotë se ai ka mbledhur shpirtrat e të vdekurve të 12 muajve që kanë shkuar pasi që i kanë larë mëkatet e tyre, dhe i ka dërguar në Parajsën kelte.

Njerëzit mblidheshin në kodrat mbi tokën e tyre dhe duke ndezur zjarre të mëdhenj përzinin shpirtrat e këqij të vitit që shkoi. Më pas shuanin përkohësisht zjarrin në vatrat e shtëpive të tyre dhe pak më vonë e ndiznin përsëri.

Kështu emri Halloween i ka rrënjët në Evropë. Kisha ua mori keltëve këtë zakon gjatë rrjedhës së kristianizimit. Ishte At Gjergji i IV i cili në vitin 837 e ringjalli një nëntorin duke e quajtur Dita e të gjithë shpirtrave. Për të mos shtrembëruar shkakun e kremtimit të Samhain-it kjo ditë është menduar të jetë edhe e të vdekurve.

Por, shumë pak prishtinas kanë njohuri për këtë.

Bora Idrizi (12 vjet) thotë se ka veshur kostumin e shtrigës që e ka parë në përrallën për Borbardhën. Për të është e rëndësishëm më shumë argëtimi sesa njohuritë dhe historia e Halloween.

Të gjithë jemi veshur interesant dhe të gjitha luajmë role të ndryshme, tha ajo.

Kungulli i Halloween

Vetëm në qindvjeçarin e shekulli XIX Halloween arriti të kalonte Atlantikun për në Amerikën e Veriut së bashku me pasardhësit e keltëve. Tek irlandezët të cilët shtegtuan për në SHBA ky zakon u përhap shpejt në të gjithë vendin, por gjatë kësaj përhapjeje ndryshoi dukshëm. Kështu tashmë Halloween ka më tepër ngjashmëri me karnavalet sesa me zakonet e hershme.

Shenja dalluese e Halloween-ve është kungulli, i cili e ka prejardhjen në SHBA. Por ama arsyeja e përdorimit të kungullit me vrima me pamje të jashtme të frikshme dhe njëkohësisht të bukur rrjedh gjithashtu nga koha e Keltëve. Një zuzar me emrin Jack O'Lantern duhej të shkonte në Ferr pas vdekjes së tij.

Por Djalli e ktheu mbrapshtë duke i dhënë me vete një copë qymyri që digjej, ta kishte gjatë rrugës. Jack'u e vendosi qymyrin brenda një rrepe të madhe dhe u nis drejt një udhëtimi të pa fund meqenëse nuk e lejuan të futej në asnjë mbretëri të vdekurish. Për njerëzit ishte më se e qartë që rrepa me qymyrin brenda u shtinte frikën, para së gjithash shpirtrave të këqij. Meqenëse amerikanët përdorën kungullin në vend të rrepës, ai mbeti shenja dalluese e Halloweenve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›